Hapësire reklamuese

Rajoni

Përballja në Këshillin e Sigurimit, Albin Kurti rrëzon propagandën e presidentit serb

Shkruar nga Newsbomb
Përballja në Këshillin e Sigurimit, Albin Kurti rrëzon

Këshilli i Sigurimit në OKB është duke zhvilluar aktualisht mbledhjen e jashtëzakonshme ku po diskutohet për situatën në Kosovë dhe raportet me Serbinë. Kryeministri Albin Kurti ka rrëzuar pretendimet dhe propagandën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Vuçiq, si çdo herë edhe në këtë seancë ka vazhduar me propagandën. Sipas tij, Serbia vazhdon mbështetjen ndaj popullsisë serbe që jeton në Kosovë, duke përmendur se paguan mijëra rroga për serbët lokal.

Ai kërkoi që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse sipas tij ky vendim është nënshkruar në vitin 2015. Gjatë fjalës së tij, Aleksandër Vuçiç u shpreh se qeveria Kurti kishte krijuar kushte të padurueshme për serbët që jetojnë në Kosovë.

“E nderuara presidente, ju falënderoj për organizimin e këtij takimi, është i rëndësishëm sepse ndodhitë janë në kundërshtim me kartën e OKB-së. Kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët, situata e tillë mund të krijoj dëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë. Serbia ka njoftuar për situatën e vështirë që ndodhën serbët atje. Kemi kërkuar këtë takim për shkak të rregullores së BQK-së, ku u ndalua dinari serb”, është shprehur presidenti serb.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës është përgjigjur duke thënë publikisht se Serbia ka kryer gjenocid në shekullin 20. Albin Kurti e ka quajtur "ironi të thellë dhe ndjenjë distopiane" pretendimin e presidentit serb se serbët në Kosovë jetojnë në kushte të padurueshme.

“Është një ironi shumë e thellë dhe një ndjenjë distopiane për pretendime të rrejshme për persekutime nga një vend që është njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20 dhe kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë.  Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e ka formuar Tribunalin e Hagës, për shkak të krimeve çnjerëzore të Serbisë te popullata civile”, është shprehur Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka theksuar në këtë mbledhje të jashtëzakonshme se Këshill i Sigurimit ka krijuar Tribunalin e Hagës në 1993 për shkak të krimeve që ka kryer Serbia, sipas Konventës së Gjenevës.

“Serbia ka kryer vrasje, tortura, gjymtime, gjenocid në Serbrenicë dhe Kosovë. Studiuesit kanë treguar se si përdhunimet janë përdorur si mjet lufte, madje nga kjo vuajtje Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar veten në një shoqëri multietnike, që sheh përpara me një shtet solid demokratik”, vijoi Albin Kurti.

Më tej, Albin Kurti është ndalur edhe tek shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, duke ia përmendur Vuçiçit fshirjen nga regjistri civil të shqiptarëve në Luginë. Sipas tij, regjimi autokratik serb i ka hequr nga regjistri civil mbi 4 mijë e 200 shqiptarë.

“Qeveria e Serbisë sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 civil shqiptarë nga regjistri civil në Medvegjë dhe 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve, ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje në ID pasaporta, regjistrim të veturave, pensione dhe të drejta votimi. I bën ata të jenë pa shtet”, tha Kurti duke shtuar se kjo lloj fushatë është metodë e depopullimit të shqiptarëve në Luginë.

Kryeministri i Kosovës duke i komentuar deklaratat e presidentit serb për spastrim etnik të serbëve në Kosovë, tha se nuk është aspak e vërtetë. Sipas tij, Serbia me qëllim po hap frikë që të krijojë atmosferë ku nuk do pranohej marrëveshja me Kosovën.

“Vitin e kaluar Komiteti i Helsinkit, është shprehur në detaje se si Serbia përhap frikë me rrezikim e rrejshëm të serbëve në Kosovë  për ta radikalizuar shoqërinë dhe për të krijuar atmosferë toksike ku marrëveshja me Kosovën do të refuzohej”, është shprehur Albin Kurti, duke shtuar se pretendimet që serbët po ikin nga Kosova për shkak të persekutimit nuk janë të vërteta.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese