Një batalion i ri i KFOR-it italian ka mbërritur ditën e sotme në Kosovë duke shtuar kështu prezencën në veri.
Lajmin e ka bërë me dija KFOR-i, që njofton se batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është vendosur në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO.
Po ashtu në postim thuhet se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është vendosur në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO KFOR. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në postim.
Në Kosovë janë rreth 5000 ushtarë të KFOR-it dhe numri i tyre është rritur për 1000 këtë vit pas tensioneve të shtuara në veri të Kosovës me Serbinë. Përforcime të mëparshme të ushtarëve të KFOR-it kanë ardhur nga Britania e Madhe, Bullgaria dhe Rumania.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, së fundi tha se kjo aleancë po shqyrton mundësinë që prania e saj e shtuar ushtarake në Kosovë të jetë e përhershme.