Partia Demokratike zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri, ku përballë ish-kryeministrit Sali berisha garon Ibsen Elezi.
Ndërkohë, ish-kryedemokrati Lulzim Basha në një postim në rrjetet sociale ka kujtuar revoltën e Qafë Barit në 22 maj 1984, ku qindra të burgosur politikë sfiduan regjimin brenda kampit të vuajtjes.
Sipas Bashës, revolta Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, ndaj nuk duhen lejuar mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë.
Postimi i plotë:
Me 22 maj 1984, 11 vite pas kryengritjes së Spaçit, në një tjetër burg mizor të diktaturës komuniste ringriti krye shpresa për liri dhe kundër padrejtësisë.Sot përulemi me respekt para heroizmit të martirëve të revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dhe qindra bashkëvuajtësve të tyre, të burgosur politikë që sfiduan me kurajo regjimin gjakatar nga brenda kampit të vuajtjes, ku dhuna e egër ishte e vetmja gjuhë me të cilën diktatura u komunikonte mizoritë e saj njerëzve të lirë, që nuk u dorëzuan kurrë përballë regjimit.Revolta e Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, e bashkë me vendet e kujtesës, përbën një pasuri shpirtërore dhe kulturore që duhet mbrojtur e nderuar për të mos lejuar që harresa të fshijë vuajtjet dhe sakrificat që farkëtuan shpirtin e rezistencës ndaj regjimit mizor, për të mos lënë mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë.Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit!