Në një dalje publike nga selia e PD-së, deputeti Arben Ristani ka akuzuar qeverinë për selektivitet në fushatën siç e ka quajtur ai represive të energjisë. Sipas Ristanit, debitorët më të mëdhenj të energjisë ndodhen në Kuvend.
Ristani ka akuzuar gjithashtu se zbulimi i laboratorit të kokainës në Elbasan dëshmon për depërtimin e krimit në nivelet më të larta të policisë dhe politikës. Sipas tij, policia ka braktisur qytetarët dhe se PD kërkon nga ajo që të kthehet në rrugën e saj për të garantuar rend dhe siguri në vend.
Ristani ka deklaruar se nëse qytetarët nuk reagojnë për përmasat që ka marrë sot krimi, atëherë asnjë shqiptar nuk ka për të qenë i sigurtë.
Nuk ka munguar reagimi i selisë rozë ndaj deklaratave të Partisë Demokratike, përgjigje e cila erdhi me anë të deputetes së PS, blerina Gjylameti. “
Sulmet e Partisë Demokratike ndaj Policisë së Shtetit janë kthyer në sulme të përditshme, pavarësisht aksioneve të suksesshme; të cilat kanë çliruar Lazaratin nga prodhuesit dhe trafikantët e drogës; kanë ulur numrin e aksidenteve rrugore; kanë rritur zbulueshmërinë e krimeve. Janë sulme, që synojnë të përbaltin imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit, që nuk po bën asgjë tjetër veçse po zbaton ligjin, në mënyrë të barabartë për të gjithë” tha deputeja e PS, Gjylameti në reagimin e partisë që udhëheq maxhorancën.
Sipas saj, pushtetarët e djeshëm të rrënimit nuk e kanë dot, sot, moralin opozitar për të folur për shtet ligjor e për barazi para ligjit, sidomos në vigjilje të përvjetorit të 21 janarit. Ajo iu referua në fund të deklaratës, protestës opozitare të asaj kohe, ku humbën jetën 4 persona, të cilët u vranë në boulevard.