Partia Demokratike i është përgjigjur sulmeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke akuzuar kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” në Dibër, Premtim Kryemadhin, se është njeriu i zgjedhur nga Ulsi Manja dhe punon për të.
Sipas PD, gruaja e Premtim Kryemadhit nuk hetoi ministrat dhe zyrtarët e Edi Ramës që u kapën duke blerë votat në Dibër, duke mos bërë asnjë veprim verifikimi në lidhje me mbi 300 kallëzime të bëra nga qytetarët dibranë
“Non Grata vazhdon sulmet kundër demokratëve. Kandidati i Shtëpisë së Ilirit, në Dibër përfaqëson korrupsionin që po e mban peng Shqipërinë, është njeriu i zgjedhur nga Ulsi Manja dhe po punon për të. Sepse gruaja e kandidatit të Shtëpisë së Ilirit, nuk i hetoi ministrat dhe zyrtarët e Edi Ramës që u kapën duke blerë votat në Dibër.
Non-grata dhe Meta po i poshtërojnë dibranët me burrin e prokurores Belina Zeneli, e cila nuk ka kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me mbi 300 kallëzime të bëra nga qytetarët dibranë, duke i lënë ata pa drejtësi për hallet e tyre.
Demokratët dhe qytetarët dibranë nuk do të pranojnë kurrë njerëz të tillë. Ata e dinë se nëse zgjedhin Berishën dhe Metën, mbajnë Ramën”, shkruhet në reagimin e PD.