Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot padinë e PD për shfuqizimin e Bordit për çmimin e Karburanteve. Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula u shpreh për mediet se bordi dëmton ekonominë e shqiptarve dhe sipas tij u shërben disa kompanive dhe oligarkëve për të ndarë fitimet.
“Bordi është ngritur enkas. Çmimet në pakicë dhe shumicë kanë qenë dukshëm më të lartë. Për shkak të konkurrencës, u gjet mekanizmi dhe forma që të ngrihej një bord i caktuar. Baza e një tregu ekonomik është konkurrenca. Çmimi i rritur i karburantit këtu në Shqipëri është komplet jashtë cdo lloj logjike. Si ka mundësi që brenda 3-4 orëve çmimi rritet? Është haptazi përfitues.
Po të kemi parasysh dhe faktorët ndërkombëtar, kemi raste flagrante që janë kapur mijëra tonelata naftë kontrabandë në brigjet shqiptare. Kemi të bëjmë me mënyrë përfitimi në forma të ndryshme. Ne kemi bërë një studim për sa I përket, numrit të makinave dhe imprortit të naftës.Bordi është në shërbim të personave ose të oligarkëve të caktuar për të ndarë fitimet dhe ne si opozitë do të ndjekë këtë çështje”, u shpreh Sula.
Ndërsa deputetja Dhurata Çupi u shpreh se pjesë e këtij bordi janë tregtarët e naftës.
“Në shtator depozituam kërkesën. U paraqitën qartësisht se akti normative është në cenim të thellë për sa i përket tregtisë së lirë, mbrojtjes së çmimeve abuzive të karburanteve. Një bord publik privat, i paparë në vende të tjera.
Çmimet e karburantit kanë qenë të jashtëzakonshme më të larta se në 30 vite. Çmime abuzive dhe tepër të larta. Ky projektligj duhet të shfuqizohet. Do të flasë dhe Sula për argumentat që u ngritën në këtë seancë”, tha Çupi.