Hapësire reklamuese

Aktualitet

PAZARI I LULIT DHE OFERTA E RAMËS!

Shkruar nga Newsbomb

Nga Edi Oga për newsbomb.al

Më vjen mirë kur shoh Lulzim Bashën që bisedon dhe bën selfie me njerëzit e thjeshtë, nëpër "pazaret" e Shqipërisë. Kjo do të thotë që këshilltarët e tij nuk janë më mizerabël, në mos i ka ndërruar me të tjerë. Ata janë kthyer tek siguria që të jep slogani i James Carville, strategut të fushatës fituese të Bill Clinton, në vitin e largët 1992: "It's the economy. Stupid". Përveç kësaj, besohet se Bashës i mungon përmasa e njeriut që flet nga afër me njerëzit e thjeshtë dhe kupton hallet e tyre. Prandaj Basha ka vendosur të bëhet më popullor, t'ua dëgjojë hallet direkt nga goja dhe t'ua premtojë zgjidhjet për këto halle direkt e në veshët e tyre.

Duket e thjeshtë, por sakrifica që bën një pushtetar kur "zbret tek qytetarët" është e madhe, sepse njerëzit e thjeshtë nuk kujdesen mjaftueshëm për higjenën e sqetullave dhe të gojës. Sidoqoftë, Luli po tregohet i durueshëm dhe ka në plan që në muajt që vjen të takojë personalisht çdo votues potencial. Të bëjë sikur i dëgjon ata dhe t'u premtojë ndryshim të menjëhershëm të jetës së tyre, për mirë. Ai bën sikur e ka seriozisht dhe njerëzit bëjnë sikur e besojnë. E gjitha kjo filmohet dhe klipet më të mira hidhen në rrjete që të shërbejnë si elemente "piari" edhe për ata që Kryeministri i ardhshëm nuk ka mundësi t'i takojë.

Po, Lulzim Basha do të jetë Kryeministri i shqiptarëve duke filluar nga viti 2021.

Lulzim Basha duhet të jetë Kryeministri i shqiptarëve duke filluar nga viti 2021.

Shqiptarët janë të dënuar të vazhdojnë të zgjedhin më të voglën e dy të këqijave dhe uroj ta bëjnë edhe në zgjedhjet e vitit që vjen.

Për fat, duket sikur shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se cila është e keqja më e madhe.

Nëse dikush ka akoma ndonjë dilemë, po ua them unë:

E keqja më e madhe për shqiptarët nuk është Edi Rama!

E keqja më e madhe për shqiptarët nuk është Lulzim Basha!

E keqja më e madhe për shqiptarët, është rinovimi i mandateve qeverisëse për të njejtën forcë politike! E kemi me provë të trefishtë që qeverisjet 8-vjeçare të liderve të së njejtës forcë politike, e kanë shpënë këtë vend në zgrip të greminës!

Për fatin tonë të keq, ne e lidhim akoma qeverisjen me personin. Ne adhurojmë ose urrejmë personin si të tërë dhe jo produktin e tij intelektual, arsyeja për të cilin ai votohet!

Ndërkohë, kryeministri aktual i vendit, për momentin ka vetëm një ofertë të tipit:

Më lejoni t'ju ofroj një mandat të tretë, që të shikoni disa nga ato gjërat për të cilat ju kam thënë që nuk i keni parë akoma. Në varësi të ecurisë së fushatës, oferta mund të "modifikohet pak". Ajo mund të përmbajë brenda saj edhe një aleancë me Ilir Metën apo në rastin edhe më të pështirë, një aleancë për qeverisje me bazë të gjerë me Lulëzim Bashën. Lus Zotin, jo!

Shqiptarët meritojnë progres social dhe ekonomik!

Shqiptarët duhet të bëjnë rrotacion. Duhet të heqin një rrotë e të vendosin një rrotë tjetër. Jo më për tetë vite, sepse tetë vite janë shumë. Për katër ose më pak se katër, nëse vjedh shumë e punon pak.

Basha duhet të bëhet kryeministër. Jam i bindur se nuk do të lërë asnjë gjurmë si i tillë, por do të mbahet mend vetëm si politikani që "shembi" rilindjen dhe rrëzoi Edi Ramën. Në fakt, këtë nuk do ta bëjë ai. Ai thjesht do të jetë aty, kur këtë ta bëjnë shqiptarët.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu