Ditën e sotme me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u mbajt në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare e Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë të vendeve të BE-së.
Në konferencë u diskutua mbi pavarësinë e magjistratëve dhe interesin e publikut.
Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të Inspektorateve të Drejtësisë të vendeve të BE-së, konkretisht Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani u shpreh se ideja e këtij aktiviteti lindi pas bisedimeve me homologun rumun Lucian Netoroju, mbi disa çështje lidhur me administrimin e drejtësisë, pavarësinë e magjistratëve, si dhe rolin e shërbimeve të inspektimit në këtë proces.
Gjithashtu Metani u shpreh se të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e pavarësisë, por edhe për të rritur efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e organeve të drejtësisë.
“Të dy ndamë të njëjtin qëndrim: pavarësisht dallimit dhe diversitetit të kulturave tona politike, juridike, sociale apo ekonomike, historia në Evropë dhe jashtë saj po tregon se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë, por mbetet një çështje që i përket të gjitha vendeve. Ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive tona. Ky është një standard ndërkombëtar.
Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveç se bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve”, tha ai.