Hapësire reklamuese

Politikë

Pavarësia e Kosovës, Meta i dërgon letër Thaçit: Urime në emër të gjithë shqiptarëve! Mbizotëroftë uniteti për integrimin europian  (LETRA E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
Meta, Thaci

Presidenti Ilir Meta me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës i ka dërguar një letër urimi homologut të tij Hashim Thaçi.

Në letrën e urimit që ka bërë në emër të të gjithë shqiptarëve Meta shkruan se në këtë etapë të re të konsolidimit të shtetit të Kosovës do të ketë një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Sakaq kreu i shtetit uron që përpara sfidave të tjera në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian.

Më tej kreu i shtetit ka folur edhe për zhgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, i cili shprehet se ka besim që përmes dialogut do të normalizohen marrëdhëniet me anë të një marrëveshjeje që njeh pavarësinë.

“Njokësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës”, shkruan Meta ndër të tjera në letrën drejtuar Thaçit.

Letra e Metës:

Mesazhi i urimit i Presidentit Meta drejtuar Presidentit Thaci me rastin e 12-vjetorit te Pavaresise se Kosoves.

I nderuar Zoti President,

Në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ju përcjell urimet më të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike.

Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane.

Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare.

Unë do të vazhdoj të jem përkrah jush në këtë rrugëtim që kërkon përkushtim dhe punë të palodhur të të gjitha institucioneve të Kosovës.

Njokësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës.

Me urimet më të sinqerta për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, dhe dëshirën e forcimit të marrëdhënieve tona vllazërore në të gjitha rrafshet, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu