Ndihmës Sekretari Todd Robinson gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë është takuar me dy nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit Rama.
Zyrtari i lartë amerikan u takua me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për të forcuar partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
“Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për të forcuar partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së ritmit për reformën në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ai diskutoi gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm në reformën në drejtësi, përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe dhënien fund mosndëshkimit në luftën kundër korrupsionit,” shkruhet njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Gjatë takimit, Balla falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, INL, ICITAP dhe DEA.
“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se "mes miqve nuk diskutohen problemet, por mbështetja për t’i zgjidhur ato në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë".
"Kënaqësi të ritakohesha në Tiranë me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson. Mes miqve nuk diskutohen problemet, por mbështetja për t’i zgjidhur ato në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Falenderues ndaj SHBA për mbështetjen e reformës në drejtësi, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit!" shkruan Manja.
Ndryshe nga rrallëherë më parë, qeveria amerikane e bëri të ditur vizitën vetëm ditën që ajo po zhvillohej, ndërkohë që Robinson, me të ardhur në Shqipëri, ka takuar Altin Dumanin dhe drejtuesen e BKH Aida Hajnaj.
Burime diplomatike bëjnë të ditur për Newsbomb.al se një ndër shqetësimet dhe sinjalet në rritje të agjencive ligjzbatuese të State Departament janë paratë që kanë hyrë në Shqipëri, në mënyrë informale dhe që po “pastrohen” në sektorin e ndërtimeve në vend.
LEXO EDHE: Todd Robinson mbledh gjyqtarë, prokurorë e politikanë: Ne e njohim punën tuaj!
Në këtë vizitë dy ditore, Robinson ka sjellë me vete shumë informacione, dhe dokumente, koefidenciale. Deri tani, asnjë e dhënë publike nuk është bërë për këto takime. Asnjë fjalë nga zyrtarët e takuar, ndërkohë që Robinson do të ketë edhe një takim me kryeministrin Rama.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe dua që të gjithë të dini se ne njohim punën tuaj. Por si çdo punë tjetër, kjo e forcimit të demokracisë dhe llogaridhënies është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do të doja t’ju nxisja e para të dini se po sillni ndryshim, dhe e dyta të mos dorëzoheni, të vazhdoni. Ne kemi besim te ju si partner për të luftuar krimin ndërkombëtar dhe korrupsionin në ballkanin perëndimor. Por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptare besojnë te ju dhe unë mund t’jua premtoj këtë: ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e SHBA do të jetë partneri juaj në këtë dhe do të ecë krah jush për t’ju mbështetur dhe për të mbështetur Shqipërinë”, tha Robinson në një takim në ambasadë ku janë mbledhur drejtues të lartë të sistemit të drejtësisë dhe qeverisjes.
Në pamjet e shpërndara nga vetë ambasada e SHBA në Tiranë shihet se në takim Robinson ka shtrënguar duart me të ftuarit mes të cilëve, ministri i drejtësisë Ulsi Manja, Sokol Sadushi i kushtetueses, Arben Rakipi i shkollës së Magjistraturës, Altin Dumani i SPAK, Aida Hajna e BKH-së, Alfred Balla i KLP, Klotilda Ferhati e komisionit të Ligjeve, Muhamet Rrumbullaku i drejtorisë së Policisë, etj. Nga Partia Demokratike e ftuar ka qenë deputetja Jorida Tabaku që nuk i përket as Rithemelimit, e as PD zyrtare të Bashës.