Pas Shkodrës dhe Vlorës, Policia ka ndërmarrë aksione dhe në Korçë dhe Pogradec për heqjen e kamerave “spiune” të vendosura në ambiente publike.
Bëhet me dije se gjatë aksionit janë hequr 31 kamera, ndërsa nuk dihen ende personat që i kanë vendosur. Sipas Policisë përgjegjësit do të vihen shumë shpejt para drejtësisë, ndërsa shton se kontrollet do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të juglindjes, si dhe fshatra.
“Në bazë të urdhrit nga drejtoria e përgjithshme e policisë për kontrollet e kamerave, të cilat janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme, edhe drejtoria vendore e policisë së Korçës është duke identifikuar rastet e shkeljes.
Deri në këto momente janë hequr 31 kamera në qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit, ku shkelësit e ligjit do të ndiqen dhe penalisht. Kontrollet do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të juglindjes dhe nëpër fshatra”, thuhet në njoftimin e Policisë.