
Njëjtë si dhe vitin që lamë pas, deputetët demokratë kanë vijuar me aksionin e tyre opozitar duke aplikuar të njëjtat skenare, atë të bllokimit të punimeve në Kuvend dhe së fundmi në Komisionet.
Burime për mediat bëjnë me dije se Komisioni i Ligjeve, Komisioni i Jashtëm dhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese janë zhvilluar online pas tensioneve të krijuara nga deputetët e opozitës. Ata s’kanë lejuar mbajtjen e këtyre komisioneve fizikisht, duke bërë që të zhvendosen online.
Kujtojmë se seanca e parë plenare e këtij sesioni të ri parlamentar për vitin 2024, e cila u zhvillua ditën e djeshme, 15 janar, zgjati vetëm 15 minuta. Dje ishte programuar dhe mbajtja e fjalës nga presidenti Bajram Begaj, mirëpi dështoi për shkak të kaosit të shkaktuar nga opozita. Të pranishëm në këtë seancë të parë plenare kanë qenë dhe përfaësuesit e trupit diplomatik, të cilët ndoqën të gjithë situatën nga lozhat e sallës së Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, ditën e djeshme në sallën e Kuvendit u betua deputeti më i ri, Plarent Ndreca. Gjithashtu u votua edhe dekreti i presidentit Bajram Begaj, për emërimin e Blendi Gonxhes në krye të ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Po ashtu, në seancën e djeshme u votua edhe meërimi i Adea Pirendit, në krye të Ministrisë së Antikorrupsion.
Ndërkohë, në këtë seancë u votua edhe shkarkimi nga detyra i Elva Margaritit si ministre e Kulturës dhe Ervin Metes si ministër për Ekonominë dhe Financat. E para mbetet pa post, kurse Mete do të drejtojë vetëm Financat, sepse Ekonomia kalon në një dikaster tjetër.
LEXO EDHE: Betohet Plarent Ndreca dhe ministrat e rinj, Kuvendi zgjat vetëm 15 minuta