Tirana
clear sky
25.5 ° C
25.5 °
25.5 °
47 %
2.1kmh
0 %
Pre
38 °
Sht
39 °
Die
41 °
Hën
40 °
Mar
38 °
E premte, 30 Korrik, 2021

Pas dorëheqjes, Alaudin Malaj i kërkon KPA-së prishjen e vendimit të KPK-së

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

0cc458acf2c3fb5cec137ff40093f3ab

Gjatë pushimit të kërkuar nga trupa e Kolegjit për të shqyrtuar kërkesën e tij për seancë të mbyllur të hënën, ish-Gjyqtari Alaudin Malaj u zgjat të shikonte në koridorin jashtë derës së sallës së gjyqeve të KPA-së për kamera dhe gazetarë.

“A ka media?”, pyeti ai oficerin e gardës. Dhe si u sigurua me veten, që jashtë nuk kishte në dukje media që e prisnin, doli në koridor.

Kujdesi i Malajt për mospraninë e mediave u duk që në fillim të seancës, kur në një fjalim me intonacion të lartë, në të cilin akuzoi disa personazhe publike dhe media të caktuara, si ‘banda’ dhe ‘mostra’, ai kërkoi që seanca të ishte e mbyllur.

Kryesuesja e trupës Rezarta Schuetz e ndërpreu Malajn duke i kërkuar të “shprehej pa fyerje”. Por Malaj këmbënguli duke arsyetuar se po i cënohej e drejta për tu shprehur dhe se kishte “5-6 vjet që vuante nga këto banda”. Schuetz pas kësaj ndaloi seancën. “T’i japim 10 minuta kohë subjektit të qetësohet”, tha ajo.

Pas rikthimit Malaj i kërkoi falje për intonacionin trupës, duke shpjeguar se ky ishte stili i tij, ndërsa përmbylli kërkesën duke arsyetuar se ato që do të thoshte në sallë do të cënonin familjen e tij, që përndiqej nga Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Ai tha se se publikimi cënonte “të drejtat e tij vetjake”.

Trupa e kryesuar nga Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Ina Rama, pas pushimit 30 minuta vendosi të rrezojë si të pabazuar në ligj kërkesën dhe e ftoi ish-gjyqtarin që të paraqiste pretendimet në seancë publike.

Malaj dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në verë të vitit që shkoi. Në 15 shtator kërkesa e tij për dorëheqje u pranua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Suela Zhegu dhe Roland Ilia vendosi ndërprerje të procesit të rivlerësimit dhe përjashtimin e Malajt për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.

Alaudin Malaj ka një karrierë prej gati tre dekadash në sistemin e drejtësisë dhe para se të dorëhiqej ishte drejtues i Gjykatës së Apelit të Tiranës. Me një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë euro, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në vend. Një hetim mbi pasurinë e tij u pushua nga prokuroria, ndërsa Malaj pretendoi në seancë se pasuria nuk mund të hetohej pasi kishte për këtë një vendim të formës së prerë.

Kërkesa e Malajt

Në vijim të seancës Malaj për mbi 30 minuta akuzoi Komisionin e Pavarur i Kualifikimit, specifikisht anëtarët Suela Zhegu, Etleda Çiftja dhe Lulzim Hamitaj, për konflikt interesi, njëanshmëri dhe për mos zbatim të detyrimeve ligjore në proces. Malaj pretendoi se kërkesat e tij që trupa dhe anëtarët e saj të shpreheshin mbi lidhjet me ish-Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafa, nuk kishin marrë përgjigje.

Ai tha se kishte bërë padi administrative dhe po ashtu edhe penale ndaj personave që përmendi, ndërsa këmbënguli se Xhafa kishte dorë në emërimin e anëtarëve të trupave të vetingut dhe se kjo i kishte legjitimuar kërkesat e tij.

Malaj tha se kishte qenë në errësirë të qëndrimeve të KPK mbi kërkesat e tij për shpallje ose jo të konfliktit të interesit dhe këmbënguli se KPK “të ndëshkohej” për këto shkelje. Specifikisht, ai pretendoi se anëtarja e Komisionit Zhegu kishte qenë në konflikt të hapur interesi, pasi ai kishte gjykuar një çështje ndaj bashkëshortit të saj.

Po ashtu pretendoi se Etleda Çiftja – po përmes bashkëshortit, në një mënyrë ishte e lidhur me ish-Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai pretendoi se bashkëshorti i Komisioneres ishte shoqërues i Xhafës. Ai ngriti aludime mbi vdekjen e shoferit të ish-ministrit, që siç pretendoi ishte vrasje. Prokuroria e ka cilësuar ngjarjen e ndodhur në vitin 2018 si vetëvrasje.

Pretendime të ngjashme u ngritën edhe për anëtarin e Komisionit Lulzim Hamitaj. Malaj pretendoi se një akuzë ndaj këtij të fundit do të bëhej publike pas datës 25 prill, ditë kur në vend mbahen zgjedhjet.

Malaj akuzoi vëzhguesin ndërkombëtar, Ferdinando Buatier de Mongeot – i pranishëm në seancë, se kishte “shpërdoruar detyrën”, pasi në një rast ishte shprehur për qëndrimin që duhej të mbante trupa e KPK mbi një nga kërkesat për dorëheqje të një gjyqtari.

Sipas ish-gjyqtarit të Apelit, Buatier ishte mashtruar nga KPK, pasi në një rast citohej në një procesverbal se Malaj ishte shoqëruar jashtë ambjenteve të KPK nga garda. Malaj pretendoi se kishte qenë në mjediset e KPK për sqarime, por pretendoi se nxjerrja jashtë me forcë nuk ishte e vërtetë.

Ndër të tjera ai pretendoi se i kishte kërkuar KPK që të mos hetonte pasurinë e tij, duke iu referuar pyetjeve nga Komisioni për një hua 100 mijë euro nga prindërit. Malaj tha se pasuria e tij ishte verifikuar dhe se për të kishte pasur vendim të gjykatës së formës së prerë.

Ai pretendoi që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ishte ndikuar në mënyrë të paligjshme nga Xhafaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shetit, Ardi Veliu. Ish-gjyqtari pretendoi se akuzat për lidhje të tij me bandat e Vlorës ishin të pavërteta, pasi në atë kohë kishte qenë gjyqtar në Tiranë. Po ashtu kundërshtoi edhe pretendimet mbi vizën për në SHBA.

Malaj tha se ishte arrestuar në mënyrë të paligjshme nga policia me akuzën për kundërshtim të saj, ndërsa theksoi se ai kishte ndërhyrë vetëm për të ndaluar një sherr mes vëllait të tij dhe të birit. Malaj deklaroi se Xhafaj dhe Veliu, të cilët i ka kallëzuar publikisht, kishin ngritur grup të strukturuar kundër tij dhe se kishin arrestuar edhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

Të dhënat e mësipërme, të cilat Malaj i përmendi në seancë,  nuk kanë qenë më herët publike, pasi KPK pezulloi procesin ndaj tij për shkak të dorëheqjes. Malaj i cili kërkoi që për “të mirën e të gjithëve KPK të ndëshkohej”, iu referua fillimisht vetëm shkarazi dorëheqjes.

Ai pretendoi se nuk po kundërshtonte dhënien e saj. Por la të kuptohej se ajo ishte dhënë në kushtet kur pa se procesi dhe trupa gjykuese ndaj tij nuk ishin të paanshëm, sipas tij një kërkesë minimale për “gjykim të drejtë”. Malaj tha se kjo po ndiqej ndërkohë me padi të tjera administrative dhe penale.

Megjithatë ai përmendi se ndalimi 15 vjet për tu rikthyer në sistemin e drejtësisë ishte i tepruar, për dikë që kishte qenë “30 vjet gjyqtar”.

Në fund të kërkesës ai  këmbënguli se vendimi i KPK – i cili në këtë rast vetëm ka konfirmuar dorëheqjen e tij, të shpallej “absolutisht i pavlefshëm”. Ai tha se ky ishte një “rast flagrat” që nuk mund të korrigjohej në apel dhe se “KPA duhet të prishë vendimi dhe ta kthej çështjen për rigjykim”.

I pyetur nga relatori Çomo nëse kishte bërë kërkesë specifike për përjashtimin e anëtares Zhegu, Malaj tha se kishte bërë. KPA pas një pushimi vendosi ndër ndërpriste seancën në mënyrë që Malaj
të mund të njihej me dosjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj tij. Seanca e radhës u caktua me datë 27 janar./BIRN

Më shumë

spot_img
spot_img