
Eurodeputetja greke Eva Kaili u lirua nga burgu 4 muaj pas arrestimit, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ish-zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian ka folur për mediet greke në lidhje me periudhën e vështirë që përjetoi në burg.
“Në dhjetor të vitit 2022, kur u informova nga mediat se në çfarë akuzash pretendohej se ishte i përfshirë partneri im dhe babai i vajzës sime, e gjithë ekzistenca ime u shemb, e gjithë bota u zhduk befas”, tha Kaili.
“Më pas erdhi izolimi dhe refuzimi absolut nga të gjithë, kolegët e mi në Parlamentin Evropian, bota politike në vendin tim, miqtë, të njohurit. Ishte sikur nuk ekzistoja. E gjeta veten në burg, larg vajzës sime, vetëm me shpresën se kjo që po jetoj është një iluzion për shoqërinë. Unë flisja, bërtisja ‘jam e pafajshme’, por muret dhe hekurat nuk më dëgjojnë”, shtoi ajo.
“Është e vërtetë, mund ta them, ka pasur momente që kam menduar t’i jap fund torturës së vetmisë shurdhuese. U tremba, nuk e bëra, mendimi i vajzës nuk më la”, pohon Kaili.
Eurodeputetja u arrestua më 9 dhjetor dhe menjëherë iu hoq imuniteti parlamentar, ndërsa u shkarkua edhe nga posti i nënkryetares së Parlamentit Evropian
.44-vjeçarja Kaili u akuzua për pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion e pastrim parash dhe u transferua në burgun e Harenit, në periferi të Brukselit, në kuadër të paraburgimit.