Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, njofton se diplomimet e ushtarakëve të rinj shqiptarë në Akademinë e West Point në SHBA kanë rinisur. Prej shtatë vitesh, që nga 2015-ta diplomimet në këtë Akademi ishin ndalur.
“Pas më shumë se 7 vjet ndërprerjeje, rinisën diplomimet e ushtarakëve të rinj shqiptarë në Akademinë West Point në SHBA. Enea Hilaj sapo përfundoi studimet në akademinë ushtarake më prestigjoze në botë, ku u diplomua për shkenca kompjuterike”, shkruan Peleshi.
Në një ceremoni të mbajtur më 21 qershor 2018 në Ambasadën Amerikane, i Ngarkuari me Punë Ryan Roberts dhe Atasheu i Mbrojtjes James Hilton, i dhanë Certifikatën e Pranimit të Akademisë Ushtarake të SHBA-së (USMA) kadetit shqiptar Enea Hilaj.
Shqipëria u zgjodh si një vend marrës i autorizuar për një numër shumë të kufizuar vendesh për kandidatët ndërkombëtarë në Akademi në 2018. Edhe Enea Hilaj emërimin e mori përmes një konkursi të drejtë dhe të hapur të koordinuar nga Qendra Shqiptare e Rekrutimit.
Tani që u diplomua, kadeti Hilaj do të kthehet në Shqipëri për të kryer angazhimin e tij kontraktual në Forcat e Armatosura Shqiptare si Toger i Dytë.


