Partizani mund sërish Tiranën falë dy golave të shënuar nga Sukaj e Fejzullahu në pjesën e parë, duke regjistruar fitoren e 60-të në derbi.
Ndeshja ka nisur me një ritëm të lartë e janë të kuqtë ata që kërkojnë ta zgjidhin ndeshjen sa më shpejt madje shënojnë me Sukajn në minutën e 4-t por ka flamur të ngritur, shkruan Sportal.
Dy minuta më vonë, Sukaj shënon sërish, këtë herë një gol të rregull dhe në “Qemal Stafa nis festa e kuqe.
Ekipi i drejtuar nga Agostineli shfrytëzon momentin e mirë dhe në minutën e 12-të është Fejzullahu, që pas asistit në golin e parë, vë vulën e tij në këtë derbi duke shënuar me kokë pas një krosimi të hedhur në zonë nga ana e Filipes që ekzekuton një goditje dënimi.
Avantazhi 2 – 0 bën që të kuqtë të tërhiqen disi, ndërsa Tirana tenton të marrë më shumë iniciativën, por nuk ka qartësinë e duhur. Në çdo repart ka duele të shumta, pasime ta gabuara, e kjo bën që rastet për shënim të mungojnë.
Tirana, për të parën herë do tentonte portën e Hoxhës në minutën e 40-të kur Gilman Lika provon në hyrje të zonës por goditja e tij është mbi tra. Nuk ka ndryshim rezultati në pjesën e parë, ndërsa me fillimin e fraksionit të dytë të lojës Daja bën lëvizjen e parë duke hedhur në fushë golashënuesin më të mirë të skuadrës, Elis Bakajn, që zë vendin e Kërçikut.
Nuk zgjat shumë qëndrimi i Bakajt në fushën e blertë pasi në minutën e 54-t ndëshkohet me karton të kuq.
Ndeshja nis e tensionohet ne fushën e lojës teksa ka ndërhyrje të gabuara nga të dyja krahët, tension që nuk i shërben aksioneve të rrjedhshme sulmuese.
Të kuqtë tentojnë të befasojnë nga distanca, por në të dy rastet portieri Bakaj grushton goditjet e Vilës dhe Trashit.
Minutat kalojnë, ndërsa nuk ka ndryshime në rezultat, çka bën që Partizani t’i gëzohet fitores e cila ka vlerë më shumë se tre pikët që i dërgojnë të kuqtë në kuotën e 52 pikëve, një më pak se Skënderbeu, ndërsa Tirana tashmë rrezikon të humbasë edhe vendin e tretë.