Hapësire reklamuese

Politikë

Partitë opozitare diskutime për "Federatë", PAA: Është një mundësi, por jo e vetmja

Shkruar nga Newsbomb
Partitë opozitare diskutime për "Federatë", PAA:
Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Agron Duka, njofton se është bërë pjesë e tryezës së diskutimit mes aleatëve opozitarë për të krijuar një Federatë Opozitare. Kjo forcë politike thotë se është e gatshme për të bërë hapin që i takon, për një organizim të vërtetë përballë mazhorancës. "Propozimi i disa partive për një Federatë të Opozitës, është në tryezë. Kjo është një mundësi, por jo e vetmja. Ne duhet të organizohemi për të qenë një zë i përbashkët përballë mazhorancës, e cila gjen tek mosmarrëveshjet tona forcën dhe arrogancën e saj. Ne si PAA jemi gati të bëjmë këtë hap", thotë deklarata. Më tej, Partia Agrare Ambientaliste thekson se opozitë nuk janë vetëm anëtarët e partive të caktuara politike, por të gjithë qytetarët që ndëshkohen nga politikat fiskale të qeverisë, rritja brutale e taksave dhe korrupsioni i frenuar. "Opozita nuk janë vetëm anëtarët e PD-së, të PR-së, PAA-së apo partive të tjera opozitare. Opozita është më e madhe. Opozitë janë të gjithë ata qytetarë që ndëshkohen nga politikat fiskale të qeverisë, nga rritja brutale e taksave dhe nga korrupsioni i shfrenuar. Por, nëse dikush mendon se ata njerëz që janë kundër qeverisë, janë automatikisht mbështetës të opozitës, gabojnë. Ata duhet të shikojnë jo thjeshtë parti që kritikojnë, akuzojnë e shajnë, por një alternativë qeverisëse, serioze dhe të besueshme. Nje qeveri e kurruptuar nuk bie duke e sulmuar, por duke luftuar për të krijuar rregulla të drejta loje e duke krijuar besim tek qytetarët", vijon deklarata.

Deklarata e plotë - Partia Agrare Ambientaliste:

Të organizojmë opozitën. Përballë qeverisë së korruptuar duhet alternativë e besueshme! Përtej një dekori të bukur që përpiqet të vizatojë qeveria, situata në vend është kritike. Nuk bëhet fjalë thjeshtë dhe vetëm për krizë ekonomike, çmime të larta dhe varfërim edhe më tej të shtresës së varfër dhe të mesme. Eshtë kriza e besimit tek politika. Mungesa e shpresës se gjërat këtu mund të ndryshojnë për mirë. Dhe kjo ndikon në krijimin e një pesimizmi edhe më të madh tek të rinjtë, që zgjedhin indiferencën ndaj politikës, apo zgjedhin të braktisin vendin dhe familjen e tyre. Një paralament jo funksional, korrupsion i përhapur në çdo degë të qeverisjes, një pushtet absolut në duart e një individi, pamundësi për të bërë zgjedhje të drejta, një sistem elektoral i deformuar, një mazhorancë që fuqizohet ekonomikisht në kurriz të pasurisë publike, një opozitë që dobësohet çdo vit dhe, një ekonomi që përqëndrohet gjithnjë e më shumë në një duart e një grushti njerëzish pranë qeverisë… Kjo është fotografia reale me të cilën ne hyjmë në vitin 2024, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme. E gjithë kjo nuk është rrufe në qiell të hapur. Udhëkryqi i madh politik që stimulon edhe anomalitë e tjera, u prodhua nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Nëse kërkojmë që diçka realisht të ndryshojë, që parlamenti t’i kthehet normalitetit, që politika të ketë autoritet, të frymëzojë qytetarët dhe të punojë në dobi të interesit publik, duhet që me seriozitetin më të madh, të anagazhohemi për të çuar në fund Reformën Zgjedhore. Duhet të merremi me shkaqet e krizës e jo me pasojat. Një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që të përfaqësojë zërin dhe interesat e qytetarëve, të kërkojmë dhe mirëpresim këshillimin e partnerëve ndërkombëtar, për të gjetur një zgjidhje që prodhon mirëkuptim mes të gjitha palëve. Ky duhet të jetë angazhimi ynë parësor për vitin 2024, në mënyrë që në 2025 shqiptarët të votojnë të lirë dhe të zgjedhin të më të mirën për veten dhe vendin e tyre. Ndaj, propozimet e hershme të Partisë Agrare Ambientaliste, faktorëve të ndryshëm opozitarë, si dhe shoqërisë civile, për lista realisht të hapura, mundësimin e votës së diasporës dhe përmirësimi i menaxhimit të procesit zgjedhor, duhet të adresohen pa humbur kohë. Partia Agrare Ambientaliste mendon se brenda opozitës duhet të kthehet dialogu. Akuzat, sulmet dhe sherret, janë të mira për të bërë lajme, por nuk e bëjnë politikën më të mirë. Edhe pse buxheti mund të kalojë në 5 minuta, kjo nuk do të thotë se nga ky akt arrogance fitojnë qytetarët. Edhe pse karriget mund të pamundësojnë debatin, kjo nuk do të thtoë se kemi simpatinë e shqiptarëve. Duhet të ndryshojmë. Për të ndryshuar duhet të lëmë mënjanë interesat personale, e të kërkojmë të gjithë rrugë të reja për t’u kthyer në një normalitet të domsdoshëm. Propozimi i disa partive për një Federatë të Opozitës, është në tryezë. Kjo është një mundësi, por jo e vetmja. Ne duhet të organizohemi për të qenë një zë i përbashkët përballë mazhorancës, e cila gjen tek mosmarrëveshjet tona forcën dhe arrogancën e saj. Ne si PAA jemi gati të bëjmë këtë hap! Opozita nuk janë vetëm anëtarët e PD-së, të PR-së, PAA-së apo partive të tjera opozitare. Opozita është më e madhe. Opozitë janë të gjithë ata qytetarë që ndëshkohen nga politikat fiskale të qeverisë, nga rritja brutale e taksave dhe nga korrupsioni i shfrenuar. Por, nëse dikush mendon se ata njerëz që janë kundër qeverisë, janë automatikisht mbështetës të opozitës, gabojnë. Ata duhet të shikojnë jo thjeshtë parti që kritikojnë, akuzojnë e shajnë, por një alternativë qeverisëse, serioze dhe të besueshme. Nje qeveri e kurruptuar nuk bie duke e sulmuar, por duke luftuar për të krijuar rregulla të drejta loje e duke krijuar besim tek qytetarët.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese