Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Partia Demokratike akuzon qeverinë: Shpërndanë 40 milionë euro 2 ditë para zgjedhjeve për të blerë votën e qytetarëve

Shkruar nga Newsbomb
Partia Demokratike akuzon qeverinë: Shpërndanë 40 milionë

Partia Demokratike, me anë të ish-deputetit Oerd Bylykbashi, ka akuzuar qeverinë se 2 ditë para zgjedhjeve ka shpërndarë 40 milionë euro për të blerë votën e qytetarëve.

Bylykbashi thotë se gjatë 2 muajve të fundit Edi Rama miratoi 20 VKM për të lejuar disbursimin e paligjshëm të këtyre shumave marramendëse në llogaritë e qytetarëve.

Sipas tij, objektet e dëmtuara nga tërmeti të vlerësuara në kategorinë DS1, u rivlerësuan në DS2, ndërsa ato DS2 u rivlerësuan në DS3, duke bërë që familjet që banonin në këto shtëpi të përfitonin më shumë lekë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, OERD BYLYKBASHI

Ditë pas dite dalin në dritë fakte, prova dhe dëshmi të veprimeve të Rama-Doshit dhe bandave të tyre për të vjedhur zgjedhjet.

Media dhe organizata te shoqërisë civile kanë zbuluar dokumenta dhe të dhëna që provojnë se qeveria përdori dhjetëra miliona euro fonde publike për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti.

Sipas këtyre fakteve Edi Rama në bashkëpunim me të emëruarit e tij në bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Kamzës, Lezhës, Rrogozhinës, Vorës, Krujës, Laçait dhe Mirditës ka shpërndarë 40 milion euro edhe 2 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Gjate dy muajve të fundit, bashkitë e kontrolluara 100% nga Rama kanë rritur në mënyrë fiktive vlerën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti me qëllim që të blejnë votën e familjeve të prekura.

Objekte të vlerësuara sipas kategorisë DS1 u rivlerësuan si të kategorisë DS2 dhe objekte të vlerësuara sipas kategorisë DS2 u rivlerësuan si objekte të kategorisë DS3.

Gjatë 2 muajve të fundit Rama miratoi 20 VKM për të lejuar disbursimin e paligjshëm të këtyre shumave marramendëse në llogaritë e qytetarëve të targetuar nga makineria qeveritare e manipulimit të votës.

Gjatë muajit mars, bashkitë e kontrolluara nga Rama disbursuan në llogaritë e familjeve të këtyre zonave 14 milion euro. 26 milion euro të tjera u disbursuan në llogaritë e qytetarëve gjatë muajit prill.

Vetëm gjate javës zgjedhore Bashkia e Durresit ndau 6 milion euro për procesin e rindërtimit, 89 herë më shumë se sa ka shpërndarë në 15 muajt e fundit.

Kodi elektoral e ndalon qeverinë të përfshihet në veprimtari të tilla të influencimit dhe orientimit të votës duke përdorur fondet publike gjatë 4 muajve të fundit përpara zgjedhjeve. Për këtë rast flagrant prokuroria nuk ka nisur ende asnjë hetim.

Këto janë disa prova të tjera të manipulimit dhe shtrembërimit të vullnetit të shqiptarëve më 25 prill nga regjimi Rama-Doshi. PD edhe në ditët e ardhshme do të vijojë të denoncojë prova që faktojnë përfshirjen e Edi Ramës në makinerinë kriminale të blerjes së votës.

Një gjë është e sigurtë. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin e madh që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, që ta rrëzojmë regjimin Rama-Doshi.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll