
Policia e Lezhës ka arritur që të parandalojë dy ngjarje kriminale. Sipas njoftimit të uniformave blu mësohet se tre persona kanë rënë në prangat e efektivëve.
Bëhet me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Repsi” janë arrestuar vëllezër, të cilët sipas policisë po përgatiteshin të kryenin një ngjarje kriminale.
Besnik Gjoka dhe Prengë Gjoka u arrestuan në hyrje të Rrugës së Kombit. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu gjetën 1 armë zjarri kallashnikov me fishekë në fole gati për qitje dhe 1 armë zjarri pushkë.
Ndërkohë, në kuadër të një tjetër operacioni u arrestua Nikollë Karaqi pasi posedonte armë zjarri kallashnikov.
“Gjithashtu, në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Fani”, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që posedonte një armë zjarri kallashnikov, mund të kryente një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar shtetasin N. K., si dhe kanë sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov që ai posedonte, bashkë me 11 krehra dhe municion luftarak”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njoftimi i plotë:
Strukturat e DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në fushën e armëmbajtjes pa leje, të zhvilluara në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar 2 operacione për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kanë goditur një rast të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, në banesë.
-Në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Repsi”, bazuar në informacionet e siguruara se 2 shtetas qarkullonin me armë dhe dyshohet se do të kryenin një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë, në hyrje të Rrugës së Kombit, shtetasit B. Gj. dhe P. Gj. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu gjetën 1 armë zjarri kallashnikov me fishekë në fole gati për qitje dhe 1 armë zjarri pushkë.
-Gjithashtu, në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Fani”, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që posedonte një armë zjarri kallashnikov, mund të kryente një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar shtetasin N. K., si dhe kanë sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov që ai posedonte, bashkë me 11 krehra dhe municion luftarak.
-Në Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se shtetasi T. Gj. mbante armë zjarri në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.