Një banor i Himarës ka telefonuar sot në emisionin “Me zemër të hapur” dhe ka paralajmëruar se do të vetëvritej, pas një konflikti që kishte me familjarët e bashkëshortes.
Drejtuesja e emisionit ka komunikuar me sallën operative të Vlorës dhe i ka vënë në dijeni të situatës. Shërbimet e Policisë në Himarë pasi kanë marrë njoftim, kanë lokalizuar shtetasin me inicialet A.K dhe kanë bërë shoqërimin e tij.
“Pas komunikimit me shërbimet e Policisë dhe me psikologun, ju bëjmë me dije se shtetasi A. K., aktualisht, ndodhet në gjendje të stabilizuar psiko-emocionale”, thuhet në njoftimin për mediat.
Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:
Më datë 13.05.2022, rreth orës 11:42, në sallën operative të DVP Vlorë, ka telefonuar gazetarja e emisionit “Me zemër të hapur”, shtetasja A. A., e cila ka njoftuar se gjatë një komunikimi me shtetasin A. K., pas një konflikti me familjarët e bashkëshortes së tij, ky shtetas i ka deklaruar se do te vetëvritej.
Menjëherë pas telefonatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë vlerësuan situatën dhe, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, bënë të mundur lokalizimin e shtetasit A. K., në shëtitoren e Himarës.
Pas komunikimit me shërbimet e Policisë dhe me psikologun, ju bëjmë me dije se shtetasi A. K., aktualisht, ndodhet në gjendje të stabilizuar psiko-emocionale.