Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan, ka paralajmëruar sot për rrezikun e një lufte të re me Azerbajxhanin, duke e akuzuar Bakun për “gjenocid” në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut, të banuar me shumicë armene.
Bakuja dhe Jerevani kanë luftuar dy herë për këtë enklavë malore dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për paqe konsiderohet perspektivë e largët. Bisedimet e zhvilluara nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, dhe më pas ndaras me ndihmën e Rusisë, kanë rezultuar me pak përparim.
“Për aq kohë sa të mos nënshkruhet ndonjë traktat dhe të mos ratifikohet nga parlamentet e të dyja shteteve, natyrisht, një luftë e re më Azerbajxhanin është shumë e mundshme”, ka thënë Pashinyan për agjencinë e lajmeve AFP. Tensionet janë përshkallëzuar në fillim të muajit korrik, kur Azebajxhani e ka mbyllur përkohësisht korridorin Laçin, rrugën kryesore që e lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë.
Mbyllja e korridorit i ka rritur shqetësimet për krizë humanitare në atë rajon, i cili me raste përballet me mungesë të ushqimeve, ilaçeve dhe furnizimeve me rrymë.
“Ne nuk jemi duke folur për përgatitje të gjenocidit, por për një proces të vazhdueshëm të gjenocidit”, ka thënë Pashinyan, duke iu referuar krizës së Karabakut. Sipas tij, forcat e Azerbajxhanit “e kanë krijuar një geto” në Karabak.