Pas skandalit që ka shpërthyer me publikim e “Paradise Papers” ka ardhur reagimi i Komisionit Evropian dhe ministrave të Financave të BE-së.
Ata janë shprehur të tronditur nga zbulimet e “Paradise Papers” dhe premtuan rritjen e luftës kundër evazionit fiskal.
“Ky skandal i ri tregon, edhe njëherë, se disa sipërmarrje dhe individë të pasur janë gati për gjithçka për të mos paguar taksat. Qytetarët evropianë nuk durojnë më dhe kanë të drejtë. Kjo është e padurueshme!”, deklaroi komisioneri evropian për çështjet Fiskale, Pierre Moscovici, para se të fillonte një mbledhje me ministrat e Financave të BE-së në Bruksel, shkruan atsh.
Dokumentat e "Paradise Papers" u publikuan dje dhe janë rrjedhjet e dokumentacioneve mbi shmangiet fiskale, pas një hetimi nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ), që grupon 96 media nga 67 vende.