Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, pak para votimit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit u ka dërguar një mesazh deputetëve demokratë.
Në mesazh theksohet se do të votohet pro projektligjit për hapjen e dosjeve dhe PS ka pranuar amendamentet.
Gjithashtu ai u ka kërkuar deputetëve të cilët nuk janë të pranishëm në sallë, t’i bashkohen për të votuar.
“Të nderuar kolegë, Pak më vonë është votimi për ligjin e dosjeve. Amendamentet e GP te PD u morën parasysh nga PS, duke u tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm i tyre dhe duke siguruar hapjen e plotë të dosjeve dhe deklasifikimin e tyre.
Pas aprovimit të të gjitha amendamenteve tona, GP i PD do të votojë PRO projektligjit. Lutem për deputetët që nuk janë prezent në sallë që të vijnë për këtë votim të rëndësishëm, për një çështje që PD e ka patur betejë që nga themelimi i saj”, thuhet në mesazhin e Alibeajt.