Kryeministri, Edi Rama ka fituar për herë të katërt gjyqin me Sali Berishën. Gjykata e Tiranës shpalli dje fajtor për shpifje Sali Berishën pas një tjetër padie nga kryeministri, Edi Rama.
Gjyqtarja Enkela Bajo ka vlerësuar si shpifje postimin e Berishës në Facebook, i cili daton më 29 tetor të vitit 2018.
Ish-kryeministri kishte publikuar në Facebook një postim ku pretendonte se ia kishte nisur një qytetare dixhitale, ku sipas saj ish-kryebashkiaku Durrësit Vangjush Dako i dërgonte Ramës para me valixhe.
Sipas Top Channel gjyqtarja ka dhënë vendim për pranimin e pjesshëm të padisë për sa i përket masës së dëmshpërblimit. Duke akorduar një pagesë dëmi 50.000 lekë në një kohë kur avokatët e kryeministrit, në kërkesën e tyre kërkonin 100 mijë lekë.
Gjithashtu gjyqtarja Enkela Bajo në vendimin e saj po ashtu kërkon përgënjeshtrimin e postimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në të shkuarën kryeministri Edi Rama ka fituar edhe tre procese të tjera gjyqësore për shpifje ndaj Sali Berishës.