Ministri i Jashtem i Greqise, Nikos Kotzias, ka sqaruar sot se çështja çame nuk është pjesë e paktit që pritet të finalizohet me Shqipërinë.
Një ditë pasi media greke “Protothema” publikoi pikat e marrëveshjes që janë në paketën e diskutimit, Kotzias i ka dhënë përgjigje sot kritikave të shumta që erdhën pas deklaratës së bërë nga kjo media se “Greqia dha Epirin e Veriut për një Çameri që nuk ekziston”.
“Është qesharake të besohet se Epiri i Veriut i përket Greqisë. Ne duhet të bashkohemi. A i njohim kufijtë e formuar nga Akti Final i Helsinkit? A e njohim Aktin Final të Parisit të vitit 1926? A i njohim rezultatet e dy Luftërave Botërore? A e njohim Ligjin Ndërkombëtar dhe duam t’i referohemi atij”?- ka thënë Kotzias.
Sipas tij, çështja çame nuk ka asnjë diskutim dhe theksoi se nuk duhet të ketë as pretendime territoriale.
Kotzias tha se opozita greke duhet të jetë e arsyeshme, ndërkohë që theksoi se duhet të marrë mirë parasysh se çfarë ndodh kur kërkohet ndryshim kufijsh.