Kryeministri i ri i Greqisë Alexis Tsipras, ka thënë se Athina Zyrtare ka mbajtur një qëndrim të gabuar me vendin tonë, në lidhje me marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Ne si shtet nuk bëmë ato që duhet të bënim për të ndaluar rrëzimin e kësaj marrëveshje, sepse në të njëjtën kohë pranojmë vendimin e tyre për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje të cilën e kishim firmosur bashkarisht, i dhamë ‘’dritën jeshile’’ Shqipërisë për çështje që kishin të bënin me ftesën për në NATO apo Bashkimin Evropian. Sigurisht që ishte edhe faji ynë që këtë marrëveshje nuk e zollëm në Kuvend për ratifikim. Pra, kemi bërë gabime në të shkuarën. Sot këto gabime po I paguajmë. Në çdo rast dua t’ju them se këto çështje duhet të zgjidhen me seriozitet dhe duke u mbështetur në ligjet e së drejtës ndërkombëtare. Duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe bashkëpunimit por që të mundet dikush të jetë i saktë duhet që të vendosë ‘’vija të kuqe’’, është shprehur Tsipras për medien greke “enicos.gr”, gjatë fushatës elektorale.
Sipas kryeministrit Tsipras, marrëdhëniet e mira mes ish-kryeministrit grek Papandreu dhe kryeministrit Rama, duhet ta kishin zgjidhur me kohë këtë çështje.
“Tashmë duhet të kishte një marrëveshje për zonat ekonomike detare me Egjiptin, Libinë dhe me Shqipërinë, me të cilën kishte një marrëveshje mes dy vendeve. Por kjo marrëveshje nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo nuk erdhi për fat të keq nga socialistët, që nuk e priste njeri në fakt, pasi në atë kohë në Greqi ishte një qeverisje PASOK-u dhe mund të pritej që marrëdhëniet e mira mes Papandreut dhe Ramës të ndalonin zhbërjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë ai më tej
Kurse Jorgos Papandreu, ish-kryeministri grek ka deklaruar ditë më parë se marrëveshja detare mes dy vendeve mund të rinegociohej.
“Siç ju e dini ka pasur një marrëveshje të bërë nga qeveria paraardhëse, e cila është ndryshuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Ne shpresojmë që do të jemi në gjendje ta finalizojmë atë marreveshje dhe të aplikohet nga të dy vendet. Mendoj që kjo çështje duhet të shikohet përsëri si një situate fituese për të gjithë dhe jo si një situatë e pazgjidhshme. Nga pala greke kjo marrëveshje konsiderohet si e realizuar. Ka disa pika për të cilat kërkohet rinegocimi, por unë besoj që të dy palët duke punuar bashkë mund të gjejnë një rrugëzgjidhje për këtë çështje, sepse në fund është në interesin e të dy palëve që të jemi në gjendje të përdorim zonat tona ekskluzive Ekonomike”, theksoi Papandreu.