Shkrimtari dhe studiuesi shqiptar Moikom Zeqo ka kritikuar ashpër qëndrimin refuzues të presidentit të Francës Emmanuel Macron për negocitatat e Shqipërisë me BE-në, bile duke arritur ta quajë edhe ‘’mburravec’’.
Në një intervistë për ‘’Gazetën Si’’ pas kohë pasi la spitalin, Zeqo e lidh skeptiçizmin e Francës ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me lidhjet e hershme dhe të fuqishme diplomatike të Francës me Serbinë. Si argument të dytë, ai shtoi se çështja e azilkërkuesve nuk është shkaku kryesor i mosaprovimit të nisjes së bisedimeve për integrim në BE të Shqipërisë, pasi këtë problem e kanë dhe vende të tjera, si Portugalia, etj. Dëshira e Macron për të qenë protagonist mes zërave të fuqishëm të BE-së e bën atë të duket mburravec, beson Zeqo.
Pjesë nga intervista e Moikom Zeqos për ‘’Gazetën Si’’:
Për ju frika e Macronit për çështjen e azilantëve është diçka reale, apo pas saj fshihet politika dhe gjeopolitika?
Për mua është thjesht gjeopolitikë. Nuk është se ka azilantë vetëm Shqipëria. Të gjithë vendet europiane kanë azilantë, Spanja, Italia, Polonia. Nuk është teza e azilantëve e vërteta.
E dyta, Shqipëria pavarësisht parametrave që ka, ka një përparësi në raport me shtetet e tjera se është anëtare e NATO-s.Nëse Mali i Zi që sapo është bërë anëtar i NATO-s, aspiron për BE-në, nuk ka të drejta superiore krahasimisht me Shqipërinë për në bashkësinë europiane.
Çfarë humbëm ne nga mosçelja e negociatave?
Ne kemi humbur që, kemi 26 vjet që aspirojmë për t’u futur në BE dhe jemi më të vonuarit nga të gjithë. Shtetet e tjera vetëm për 10 vite janë futur në BE. Ky qëndrim ndaj Shqipërisë më duket i tepruar, në rastin konkret nga Franca.
Mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në kryeministri Edi Rama, ia faturoi presidentit francez Macron. Jemi mësuar ne që fajet t’ia faturojmë tjetrit?
Unë e kam kritikuar shpesh kryeministrin Rama. Në rastin konkret gabimi është i Macronit. Se si e artikulon Rama për të bërë politikën e brendshme në Shqipëri, ajo çështje nuk më intereson shumë. Në rastin konkret nuk duhej që Franca të manifestonte një jo skepticizëm, se mund të thuash një po dhe të kesh parasysh edhe këtë edhe këtë, siç e bëri Gjermania. Ai ishte qëndrim antishqiptar. Është sabotim i një vendi që e mertion pas 26 vjetësh të futet në BE. Këtë e them si shqiptar.
Që të jesh me Serbinë është të mos njohësh as Kosovën e të jesh kundër Shqipërisë. Europa është kthyer në traditën e vjetër, i është kthyer gjeopolitikës. Pas Merkelit do mbetet ai, Macroni. Protagonizmi i tij do të thotë që aspiron të jetë zëri i BE-së. Kjo tregon që edhe ai është mburravec si shqiptarët.