Hapësire reklamuese


Ekonomi

Pagat më të larta, Kosova mund të 'rrëmbejë' mjekët e Shqipërisë

Shkruar nga Newsbomb
Pagat më të larta, Kosova mund të 'rrëmbejë'
Vihet re një tendencë për largim e mjekëve me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria. Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Sipas studimit, financimi i sistemit, mangësitë në menaxhimin e sistemit të shëndetësisë dhe mungesa e sigurisë financiare, rezultojnë të jenë shkaqet kryesore që ndikojnë në pakënaqësinë e mjekëve të gjinisë mashkullore. Ndërkohë, mjekët e gjinisë femërore konsiderojnë si më problematike financimin e sektorit të shëndetësisë dhe burokracitë e sistemit, si dhe mungesën e sigurisë financiare (pagat mujore). Në fakt, 71% e mjekëve ankohen për faktin se mjekët kritikohen më shumë sesa duhet në Shqipëri.

Arsyet ekonomike dhe profesionale zënë vendin e parë për mjekët për largimin e tyre nga Shqipëria. Vetëm 1% e mjekëve shprehen se largohen për arsye gjyqësore. Vihet re se numri i grave mjeke që duan të largohen për arsye ekonomike, profesionale dhe gjyqësore është më i lartë se ai i burrave. 50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt.

Të pyetur se çfarë ndikon në pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit shëndetësor (përgjigje me shumë alternativa), rezulton se 42% e mjekëve janë të pakënaqur nga financimi i sistemit, 37% të pakënaqur nga menaxhimi i dobët i sistemit, 36% të pakënaqur nga mungesa e sigurisë financiare dhe 33% e tyre janë të pakënaqur nga burokracitë e sistemit.

Nevojat për personel shëndetësor lehtësojnë lëvizjen e mjekëve

Dr. Brahimaj thotë se lëvizja e mjekëve nga një vend në një tjetër nuk është një fenomen i ri dhe as shqiptar. Vitet e fundit, emigrimi është lehtësuar nga unifikimi i nivelit të edukimit të tyre në shumë vende (1,000 orë mësimi në vit, për 6 vite të universitetit). Gjithashtu, në fushën e mjekësisë është lehtësuar edhe njohja e titujve nga marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe (brenda BE).

Mjekët duan të bëjnë mjekësi të mirë dhe këtë e garantojnë kushtet e mira të punës që në Shqipëri nuk ofrohen. Në 2010, OBSH adoptoi praktikën e rekrutimit të personelit shëndetësor.

Sot, lëvizja e tyre ka bërë që, p.sh.: spitali i Zyrihut të ketë 40% të mjekëve të rinj janë të huaj. Gjithashtu Gjermania, Britani, Belgjika po kërkojnë personel të huaj. Vendet e Lindjes kanë rënë pre e këtij procesi, ku për shkak të hendekut të lartë të pagave dhe kushteve të punës, mjekët po largohen drejt Perëndimit. Brahimaj tha se edhe Shqipëria ka rënë pre e këtij procesi, ndaj qeveria duhet të marrë masa që të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave.

Situata do të përmirësohet me rritjen e numrit të studentëve në Universitetet Mjekësore dhe në rritjen e kuotave për specializantët, të cilat ishin bllokuar për një periudhë kohe. Brahimaj tha se bërja e specializimeve të mjekëve duhet të thjeshtohet dhe duhet marrë në konsideratë rekrutimi i mjekëve të huaj në mënyrë të organizuar. Brahimaj tha se gjatë vitit të kaluar 35 mjekë të huaj kërkuan certifikatë nga Urdhri i Mjekut për të punuar në Shqipëri/MONITOR.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese