
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka miratuar një vendim për themelimin e Mekanizmit të Paralajmërimit të Hershëm për Monitorimin e Trendeve të Migrimit.
Kurti është shprehur se ky mekanizëm do t’i monitorojë lëvizjet e migrimit pas liberalizimit të vizave
“Ky mekanizëm ndërinstitucional ka për qëllim të monitorojë trendet e lëvizjeve të migrimit pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian, të mbledh dhe të analizojë të dhëna lidhur me lëvizjet e shtetasve të Republikës së Kosovës në shtetet e zonës Schengen, si dhe të rekomandojë ndërmarrjen e masave për institucionet relevante me qëllim të menaxhimit të suksesshëm të procesit”, është shprehur Albin Kurti.
Ky vendim vjen më pak se një muaj para liberalizimit zyrtar të vizave të shqiptarëve të Kosovës në 26 vendet e zonës Schengen. Më datë 1 Janar 2024, qytetarët e Kosovës u bashkohen miliona qytetarëve që nuk do kenë nevojë për regjim vizash për të shkuar në Evropë, për 90 ditë.
Frika se mos qytetarët e Kosovës thyejnë rregullat e udhëtimit pa viza dhe shkelin ditët e qëndrimit në zonën Schengen, ka detyruar Qeverinë që të themelojë Mekanizmin e Paralajmërimit të Hershëm për Monitorimin e Trendeve të Migrimit.
Kosova, është shteti i vetëm në rajonin tonë, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë të lirë në 26 vendet e BE-së që përbëjnë zonën Schengen. Komisioni Evropian, që në 2018-n e ka konfirmuar disa herë se Prishtina zyrtare i kishte përmbushur kushtet për lëvizjen e lirë, por vendimi vazhdimisht ishte shtyrë.
Edhe nuk ka një vendim të plotë sesi do të veprojë Mekanizmi i Paralajmërimit të Hershëm për Monitorimin e Trendeve të Migrimit, por e qartë është se ky mekanizëm do të ndihmojë institucionet e Kosovës të kenë një databazë të plotë të qytetarëve, për t'i paralajmëruar për shtetasit që mund të jenë afër kufirit të shkeljes së lejes së udhëtimit.
// NEWSBOMB.AL