Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt ka kërkuar nga komisioni i posaëm i reformës zgjedhore të nxitojë me punën për ndryshimet në reformën zgjedhore.
Pesë muajt e mbetur, sipas ambasadorit, janë të pamjaftueshme për të arritur në një reformë thelbësore për procesin, sipas intervistës që vetë kryetari i prezencës së OSBE-së dha për Vizion Plus.
Megjithatë, janë katër drejtime sipas tij ku duhet të fokusohet reforma zgjedhore nga ky komision, mandati i të cilit përfundon në muajin shkurt.
“E para është rritja e transparencës dhe bërjes publike të financimit të fushatave. Kjo është një çështje thelbësore. E dyta është forcimi i sanksioneve ligjore për kriteret gjinore të listave të kandidatëve të partive politike. E treta është forcimi i sanksioneve për shkeljen e ligjit, si për shembull për blerjen e votave apo për fotografimin e fletëve të votimit në dhomën e fshehtë të votimit. Fusha e katërt është nevoja për përmirësimin thelbësor të dispozitave për mbulimin mediatik të fushatave zgjedhore. Njerëzit që shohin kronikat në televizion kanë të drejtën ta dinë nëse një kronikë është përgatitur nga një gazetar i pavarur apo nëse po shohin një produkt partiak, që është, sigurisht, i njëanshëm” janë kërkesat e OSBE-së për parlamentin shqiptar.