
Ashtu si dhe është parashikuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit, pas javës së gjelbër deputetët do të rikthehen pasditen e kësaj të hëne në ambientet e Parlamentit. Në rend të ditës do të jetë diskutimi për problematikat e qytetarëve që deputetët kanë hasur përgjatë takimeve me ta.
Nga ana tjetër opozita ka paralajmëruar protestë para ambienteve të Kuvendit. Mësohet se protesta do të nisë në orën 17:00, në të njëjtin orar që do të nisë edhe seanca plenare. Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se njëjtë si dhe seancat e kaluara plenare deputetët e opozitës do të ndjekin të njëjtin skenar, nuk do të lejojnë zhvillimin normal të seancës.
Protesta do të jetë vijimi i aksionit opozitar, pasi opozitës nuk i janë plotësuar kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Më herët ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin në protestë ditën e hënë. Një thirrje të veçantë lideri i Partisë Demokratike e kishte dhe për socialistët, të cilët i ftoi t’i bashkohen protestës këtë të hënë. Ky apel i ish-kryeministrit për socialistët erdhi pas deklaratave të bëra nga ish numri dy i qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj, ku zbuloi se kryeministri e kishte kërcënuar me jetë.
“Por protesta juaj është frymëzim dhe shpresë për të gjithë ata socialistë, të cilët binden se Rilindja ishte përbindëshi që shkatërroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe idealet e tyre, edhe partinë e tyre. Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.
Kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zëvendëskryeministrit, se si Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste ekzakt të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë njëlloj si Enver Hoxha në Byronë Politike, armiqve të tij. Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij.
Se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me ju”, tha Berisha.