Opozita e djathtë është bërë sot pjesë e Konferencës së Kryetarëve.
Në këtë mbledhje, PD është përfaqësues nga Edmond Spaho, i cili ka lëshuar akuza të forta në drejtim të mazhorancës, lidhur me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku.
Sipas tij, Marku është zgjedhur me procedura antikushtetuese dhe për këtë duhet të shkarkohet bashkë me kreun e kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili lejoi emërimin e saj.
Sipas Spahos, Arta Marku u zgjidh me urdhër të Edi Ramës, pasi ajo do të mbrojë njerëzit e tij, të cilët janë të inkriminuar.
“Më 18 dhjetor është bërë një puç kushtetues me urdhër të Edi Ramës, i cili përmes Arta Markut do të mbrojë njerëzit e tij. Kërkojmë dorëheqjen edhe të Gramoz Ruçit i cili zbatoi urdhrin e Ramës. Arta Marku u zgjodh me procedura antikushtetuese , me 69 vota nga PS dhe pa vetting”, është shprehur Spaho.
Kërkesa e opozitës nuk është marrë në konsideratë, ndërsa Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin 3-javor të punimeve në Kuvend.