Në vijim të megoperacionin policor të kodur “Tempulli”, janë vënë në pranga dy shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim, duke e çuar numrin e shtetasve të ndaluar në 99.
Në pranga është vënë një 54-vjeçar dhe një 27-vjeçar, të dy banues në Tiranë.
Shtetasit ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i policisë:
Vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 99 numri i shtetasve të ndaluar.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar "Tempulli", bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
- H., 27 vjeç dhe K. L., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.