Artan Marku, Gëzim Sufaj, Drilon Halilhakaj dhe Dodë Frroku janë arrestuar në kushtet e flagrancës gjatë një operacioni antidrogë që është zhvilluar në Shkodër. Në kërkim është shpallur dhe shtetasi Arjan Gjergji.
Shërbimet e Policisë kishin marrë informacioneve në rrugë operative se shtetasit Artan Marku, Gëzim Sufaj dhe Drilon Halilhakaj në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, kishin bërë gati lëndën narkotike për ta shitur.
Policia ka ndërhyrë në momentin kur këta shtetas po bënin “pazaret” për shitjen e drogës dhe I kanë vënë në pranga, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 20 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri tip pistoletë, 2 automjete dhe 3 aparate celular.
Operacioni ka vijuar me goditjen e një tjetër tentative për shitje të fareve të kanabisit, si rezultat i të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi Dodë Frroku 55 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër, të cilit shërbimet e Policisë gjatë kontrollit i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2000 fara të dyshuara kanabis dhe 2 aparate celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni i koduar “Perash” është kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Të arrestuar në flagrancë janë:
Artan Marku 29 vjeç, banues në Perash, Shkodër;
Gëzim Sufaj 45 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër;
Drilon Halilhakaj 21 vjeç, banues në Grudë Fushë, Shkodër;
Dodë Frroku 55 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër;
Arjan Gjergji – I shpallur në kërkim.