Një operacion masiv antikanabis në shkallë vendi po zhvillohet nga Policia e Shtetit, monitoruar nga drejtori Haki Çako.
Operacioni po zhvillohet për rikontrrollin e territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të Cannabisit si dhe të magazinimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Operacioni nga ajri, deti e toka ka nisur prej ditës së djeshme. Në operacion janë të angazhuara forcat Renea, FNSH, Policitë Vendore, Policia Kufitare e Delta Forcë.
Operacioni drejtohet dhe monitorohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako.
Forcat Renea asgjësojnë në një terren me rrezikshmëri të lartë në Dukagjin, 920 bimë Cannabis Sattiva. Bimët u evidentuan nga patrullimi nga ajri i Policisë së Shkodrës. Bimët të kultivuara në Luginën e Qershisë në Shosh -Dukagjin.
Policia bën me dije se Forcat Renea kanë rrezikuar jetën në një terren super të vështirë. Me ndihmën e helikopterit u bë e mundur tërheqja e forcave Renea, pas asgjësimit të bimëve narkotike.
Për të ndjekur operacionin ka shkuar në Dukagjin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, Drejtori i Departamentit të Sigurisë Altin Qato dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Gjovalin Loka.
Çako ka përgëzuar dhe vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të policisë veçanërisht të Reneas, por edhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në tërësi.
Çako ka theksuar se Policia e Shtetit do ta përmbush me sukses këtë prioritet kombëtar të qeverisë për zerimin e fenomenit Cannabis këtë vit.
Operacioni masiv do vijojë deri në rikontrollin e plotë të territorit të vendit.