
Nga Erion Dasho
Teksasi dhe disa shtete të tjera të jugut të SHBA-ve janë duke luftuar prej muajsh me një shpërthim të sëmundjes së fruthit. Tre fëmijë kanë vdekur, midis disa qindra të sëmurëve. Për të kuptuar shkallën e rëndesës së problemit, vdekja e fundit nga fruthi në SHBA datonte në vitin 2019 dhe e parafundit në vitin 2015, të dyja në persona me moshë madhore dhe me mangësi të theksuar të imunitetit.
Si shpjegohet ky shpërthim i tanishëm dhe vdekjet e lidhura me të?
Fruthi është një prej sëmundjeve më ngjitëse që njihen. Qytetarët e mbajnë mend koeficientin R, i cili u bë "i famshëm" gjatë COVID-it. Në rastin e fruthit ky koeficient vlerësohet midis 12 dhe 18. As varianti omikron i COVID-it nuk e arriti dot këtë shkallë të përhapjes, ndërkohë që varianti origjinal që tronditi botën e kishte R-në midis 2 dhe 3, pra përhapej gjashtë herë më ngadalë se fruthi.
Për të parandaluar një epidemi të mundshme të fruthit, e vetmja mënyrë është vaksinimi i më shumë se 95% të popullatës. Pothuajse secili nga vendet e zhvilluar e arrin këtë shkallë imunizimi, madje asaj janë duke ju afruar edhe shumë vende afrikane.
Në disa rajone të Teksasit dhe shteteve fqinjë shkalla e vaksinimit ka rënë në nivelin e vendeve që aktualisht ndodhen në luftë apo konflikte civile.
Shkaku?!
Teoritë konspirative që kanë lindur vitet e fundit për "lidhjen" e vaksinimit me autizmin dhe probleme të tjerë shëndetësore!
Këto teori morën superxhiro në kohën e pandemisë, ku vaksinimi u lidh deri me përpjekje gjenocidale për të nxitur vdekje masive në popullatë, apo me synimin për të ndryshuar kodin gjenetik të njerëzimit. Hezitimi për të vaksinuar fëmijët u pasua nga rënia e mbulesës imunitare dhe shfaqja e shpërthimeve me të cilat SHBA-të janë duke u përballur aktualisht.
***
Në raport me shëndetin dhe jetën e fëmijëve nuk ka asnjë produkt që të ketë patur ndikim më të madh sesa vaksinat. Çdo vit vaksinat shpëtojnë 4 deri në 5 milionë jetë, pjesa dërrmuese në moshën e fëmijërisë.
Një studim që përfshiu 20 vitet e parë të mijëvjeçarit të ri vlerësoi se midis vitit 2000 dhe 2019, vaksinat parandaluan të paktën 37 milion vdekje në vendet në zhvillim, 23 milion prej të cilave u parandaluan nga vaksina e fruthit.
Vaksina më e anatemuar nga të fantaksurit e teorive konspirative, vaksina kundër COVID-it, vlerësohet se shpëtoi rreth 20 milionë jetë gjatë pandemisë. Kjo sipas një studimi të publikuar në vitin 2023 në revistën prestigjioze "The Lancet".
***
Shëndeti publik ka një detyrë shumë të vështirë, të kapërcejë rezistencën e teoricienëve konspiracionistë, si dhe të "shkencëtarëve" të vetëshpallur të rrjeteve sociale. Kjo sfidë ka për të qënë akoma më e vështirë sesa vetë sfida që u kapërcye kur programet e vaksinimit u shtrinë për herë të parë dhe bënë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes për dhjetëra milionë fëmijë e të rritur.
Por, sikundër çdo sfidë tjetër në dobi të jetës, edhe kjo është një sfidë që e vlen të luftohet!
Për të shpëtuar jetë të tjera...