Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Shoqëria në rrokullisje fatale, duhet të shpëtojmë fëmijët!

Shkruar nga Mentor Kikia
Shoqëria në rrokullisje fatale, duhet të shpëtojmë
Analisti Mentor Kikia

Të mbërthyer në një luftë të ethshme për mbajtje-marrje të pushtetit, në të cilën janë të angazhuar të gjithë, partitë politike, qeveria, pushteti vendor, struktura të shtetit, media, grupime qytetare etj, ne nuk po shikojmë se jemi në një rrokullisje pa ndalim si shoqëri.

Ngjarja e rëndë në një shkollë të kryeqytetit, ku nxënës të shkollës 9 vjeçare u përleshën me thika, duke shkaktuar një 14 vjeçar të vdekur e një të plagosur rëndë, është dëshmia e asaj që zjen çdo ditë në mesin e një gjenerate gati e dalë duarsh.

Unë jam mes atyre që s’kanë reshtur së shkruari e së foluri, për një gjeneratë pa edukatë, pa etikë, me një fjalor fyes, bullizues e të dhunshëm; për ngjarje të dhunës në grup, me protagonistë djem e vajza; për një sistem shkollor ku mesuesit i bëhet çdo ditë e më i vështirë ushtrimi i profesion-misionit të tij, pasi fëmijët kanë vetëm të drejta dhe jo detyrime. Dhe ja ku kemi tragjedinë e radhës. Nuk do të jetë e fundit, pa asnjë dyshim.

Sot pashë shumë njerëz që drejtonin gishtin nga shteti, nga policia dhe shkolla. Po, edhe ato kanë përgjegjësinë e tyre. Por përgjegjësia kryesore duhet të kërkohet në familje. Ata fëmijë që shkuan në shkollë me thika në çantë, nuk e kishin për herë të parë këtë punë, apo jo? Ata që u përleshën, nuk e kishin për hëre të parë? Ata fëmijë të dhunshëm, nuk e demonstruan për herë të parë këtë sjellje? Çfarë bëjnë prindërit kur vërejnë se fëmija nuk demonstron sjellje normale? Ku janë prindërit kur fëmijët 10-14 vjeçarë enden rrugëve në formën e bandave deri në mesnatë?

Në një rast konkret, ndërsa një inspektor policie tentonte të “vinte rregull” mes një bande fëmijësh që sulmonin bizneset në një zonë të Tiranës(e theksoj, bandë fëmijësh) babai i njërit prej tyre i bënte video të fshehtë dhe e shantazhonte inspektorin se do e bënte publike, sepse ai po u bënte presion fëmijëve. Ky soj fëmije do të shkojë me thikë në shkollë nesër, sepse e mbron baba.

Në episodin e radhës të një seriali televiziv, prokurorët po hetonin një grup të rinj, vrasës. Ata e shtrinë hetimin edhe tek familjarët e tyre dhe zbuluan se çdo familje kishte qenë në dijeni të sjelljeve dhe veprimeve të fëmijëve, por nuk kishin ndërhyrë dhe nuk kishin denoncuar.

Arkivi i policisë tonë është i mbushur me krime djemsh, prindërit e të cilëve nuk e dinë as në cilën shkollë janë. Por, është mbushur edhe me krime djemsh, të cilëve prindërit e pasur e me pushtet u janë bërë mburojë, duke i zhytur thellë e më thellë në botën e krimit.

Prindër mblidhni fëmijët, para se tia lexoni emrat në titrat e televizioneve News.

Në këtë situatë kaotike, qeveria nuk mund të jetë indiferente apo të ndezë vetëm qiriun e radhës. Të qeverisësh nuk do të thotë të bësh vetëm rrugë e tunele. Por të jesh përgjegjës mjedisin social, kriminalitetin dhe dhunës mes të miturve. Të jesh përgjegjës për të përgatitur një gjeneratë më të denjë për të ardhmen e vendit. Dhe për këtë duhet të ndërtohen mekanizma që ndërthurin shkollën, familjen dhe shtetitn, që çojnë në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.

Shkolla ka nevojë për DISIPLINË, mjaft me “tabelën” e të drejtave të fëmijëve në çdo muar klase dhe me prindër që kërcënojnë mësuesit “nëse i bërtet fëmijës tim”.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese