Nga Retin TOKA
Jasir Asani është një emër që rezonon me krenari dhe pasion mes tifozëve shqiptarë, dhe me plot të drejtë. Përballë një periudhe të vështirë në karrierën e tij, ai tregoi një qëndresë të jashtëzakonshme dhe u kthye në fushë me një dëshirë për të treguar veten. Megjithatë, disa analistë dhe kritikë kanë qenë të shpejtë, duke u përpjekur të parakalojnë me driblim mëngjërashin, teksa hodhën dyshime mbi formën e tij. Por, do të qe mirë të shihnim faktet dhe t’i japim djaloshit nga Shkupi respektin që meriton.
Pas konflikteve me trajnerin në Korenë e Jugut dhe mungesës së gjatë në fushë, të shumtë ishin ata që nxituan të “shpallnin” fundin e karrierës së tij duke aluduar dhe për ftesën kuqezi. Ky ishte një gabim i madh. Asani, një lojtar me talent të pakontestueshëm dhe me zemër të madhe, nuk u dorëzua përballë këtyre sfidave. Në vend që të dëgjonte zërat kritikë, ai vazhdoi të stërvitej dhe të punojë fort, duke pritur ditën për të dëshmuar talentin para publikut të gjerë.
Ai kishte një mbështetje të madhe në krahë, trajnerin Sylvinho që siç duket nuk e “tradhton” dashurinë e parë. Potenciali dhe karakteri i mëngjërashit kanë bindur brazilianin t’i japë hapësira dhe besim. E thënë shkurt, Sylvinho e ka ndihmuar Asanin të rilindë. Në ndeshjen e fundit, tregoi pse ky besim është i merituar. Një supergol nga distanca, një moment magjik që mbylli gojën e të gjithë kritikëve dhe skepticizmit të tyre të pabazë.
Asani flet me gola, ndërsa vendin në formacionin titullar ia sigurojnë statistikat. Anësori i fazës ofensive ka luajtur 12 ndeshje me kombëtaren shqiptare, duke treguar vazhdimisht performanca të qëndrueshme dhe të nivelit të lartë. Ka arritur të realizojë 4 gola, 3 prej tyre me shumë peshë për kualifikimin në Europian. Perla në ndeshjen e fundit, ishte një shembull i shkëlqyer i aftësive të tij teknike dhe vizionit në fushë. Edhe në karrierën e tij në Korenë e Jugut, përfshirë periudhën e suksseshme para përplasjes me trajnerin, Asani ka treguar vazhdimisht nivel të lartë loje duke kontribuar me gola dhe asiste për skuadrën e tij.
Ndoshta tani është koha që analistët dhe kritikët të marrin një mësim të rëndësishëm, që talenti dhe përkushtimi nuk zhduken me disa muaj mungese në fushë. Ata që janë të shpejtë për të gjykuar dhe për të hedhur dyshime, shpesh harrojnë se futbolli është po aq një lojë e mendjes dhe shpirtit sa edhe e trupit. Asani ka treguar se ka të gjitha cilësitë e një kampioni të vërtetë.
Kritikat e panevojshme dhe të pabazuar nuk ndihmojnë askënd, përkundrazi, ato shpesh bëhen një barrë e padrejtë për lojtarët që japin gjithçka për fanelën kuqezi. Në vend që të nxisin një atmosferë negative, analistët duhet të mbështesin dhe të inkurajojnë lojtarët tanë, veçanërisht kur ata po kalojnë periudha të vështira. Kombëtarja shqiptare është në prag të pjesëmarrjes në Europian dhe na duhet unitet e besim më shumë se kurrë.
Jasir Asani është një pasuri e çmuar për ngjyrat kuqezi. Për të gjithë ata që dyshuan në të, që e kritikuan pa bazë, ai ka dhënë përgjigjen më të mirë të mundshme në fushë. Është koha që të gjithë të njohin e respektojnë kontributin e tij, në çdo lloj kohe. Përballë kritikëve dhe skeptikëve, Asani ka treguar se një kampion i vërtetë dëgjon vetëm zemrën e tij dhe mbështetjen pa kushte të tifozëve.
E në këto ditë emocionuese para shkelmimit të topit të parë të Europianit, ndërsa Shqipëria po përgatitet për këtë kompeticion spektakolar, ndoshta kritikët duhet të rishohin pozicionin e tyre. Jasir Asani ka treguar se meriton çdo shans dhe çdo moment në fushë. Ai është simbol i forcës, talentit dhe shpirtit shqiptar. Dhe me lojtarë si ai, ne mund të shkojmë vetëm përpara, duke ëndërruar për suksese të mëdha.