Nga Flutura Açka
Në kujtesë të 80-vjetorit të vdekjes
Ndër të paktët emra që kronika botërore e ditës të shfaq sot, është Princ Vidi, i cili bën plot 80 vjet që është ndarë nga jeta, në një moshë që për vitet kur flasim, quheshe i plakur. Shtatëdhjetëvjeçar, ai vdiq më 18 prill 1945 dhe u varros në kishën evangjeliste në Bukuresht të Rumanisë.
Nëse ka një emër, me të cilin mund të lidhet Shqipëria Europiane në historinë e shtetit shqiptar, mes shumë figurave të tjera të nderuara, është padyshim Princ Vidi.
Gjashtë muajt e mbretërimit të tij nuk janë heroike, nuk janë të shënjueshme me bëma të mëdha shtetare, nuk janë kronikë trimash që nuk i tremben armikut, nuk shquhen mitomanira me çka e kemi mbushur përplot kronikën tonë historiografike, por padyshim, është një kohë me përpjekjen më të thukët të europianizimit të shqiptarëve.
Kronikat atëbotë – një kohë pashallarësh gjakpirës dhe burrështetas europianë me thika në duar që ndanin toka – e kanë përtallur për mungesë trimërie, madje deri aty, sa të kujtohej si një burrë “që nuk ia dilte të përdorte as gjatësinë e vet”, i cili merrej të ngulte në histori shenjat e tij mbretërore, ndërkohë që vendi digjej; i cili shpërndante medalje, ndërkohë që shteti i tij ishte vetëm Durrësi, dhe Durrësi ishte kthyer në ishull prej izolimit dumbabas.
Të gjitha këto janë të vërteta, por ka një të vërtetë mbi të gjitha të tjerat. Asnjëherë, sa në ato gjashtë muaj, Shqipëria nuk ka qenë më europiane, asnjëherë më patriotike, asnjëherë shteti nuk ka pasur aq klas perëndimor. Po, të gjitha këto në miniaturë, në kufijtë e karikaturës, por i ka pasur ama këto shenja që e dallojnë Europën të jetë Europë, dhe ne të jemi europianë.
Asnjëherë si në 7 mars 1914, Shqipëria nuk i ka pasur dhe nuk do t’i ketë kurrë më bashkë, në aq kilometra katrorë sa kishte Durrësi i atëhershëm, thuajse të gjitha mendjet e ndritura të veta, as do të ketë ndonjëherë një densitet të huajsh që vijnë ta përshëndesin dhe jo për turizëm, as kurrë aq shumë brohoritës e duatrokitës mitingjesh të papaguar, të pagjyrosur me partira, por thjesht për atdhe.
Mjafton për kaq, për këtë kthesë te nahia ku i takonte – Europa – që Princ Vidi duhet të nderohet. Dhe na mjaftojnë që ta përligjim respektin me fjalët e Fan Nolit, se “nëse ka një gjë që mund të gjykohet Princ Vidi, ishte se ai nuk bëri dot mrekulli”.
Por ne, europianët kallpë të shtetit, në vendin ku duhej të rindërtonim Konakun aty ku ishte, siç ishte, bëmë veljerën e shëmtuar të betonit, sepse djallëzisht, siç edhe po duket, duam të ngulim në histori hurin e shtrembër të manipulimit të historisë, se dita europiane e shqiptarëve nis me të tjerë shtetarë. Pra, me ne, sot!
Le ta nisim ndreqjen e historisë sonë europianiste duke i dhuruar një varr shqiptar Princ Vidit! Të tjerat i bëjmë pastaj.
Sepse një varr shqiptar për Princ Vidin, do të ishte një nga shërbimet e para të Shqipërisë Europiane, e cila nisi nëpër shpërgenjtë e përgjakur të Shqipërisë së asaj kohe. Pastaj, këtë “Promemorie mbi Shqipërinë”, ta kthejmë si lexim të detyruar në të gjitha shkollat shqiptare.
Asisoj patriotëve u themi patriotë dhe bukëshkalësve tradhëtarë.
Njeriu nuk lind patriot, bëhet rrugës, edhe nga bashkëjetesa me patriotë.
P.S. I tërheq vëmendjen Kryeministrit, që për përdorin e ideve të mia si: “Shqipëria është grua” (Kukullat nuk kanë Atdhe, Sk Books, 2013, fq. 366): “Projekti i rivitalizimit të Metalurgjikut në Elbasan” (Kukullat nuk kanë Atdhe, Sk Books, 2013, fq. 122-140), të respektojë minimumin e së drejtës së autorit: Falenderimin publik për idenë! Sepse idetë e shtyjnë të para botën, pastaj milionat e materializimit të tyre.