Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Letër e hapur Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë

Shkruar nga Prof. Dr. Arben Cici
Letër e hapur Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë
Autori i shkrimit, diplomati Arben Cici

Zoti Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosa të komunikoj me ju në këtë mënyrë sepse çështja për të cilën ju shkruaj, zakonisht anashkalohet nga vëmëndja kryesore e opinionit publik, me të drejtë, dhe debatohet vetëm brenda një rrethi të papërfillshëm individësh, të cilët nuk cënohen drejtpërdrejt prej saj e nuk kanë njohuritë e mjaftueshme të fushës, ose akoma më keq, nuk kanë kurajën të flasin atë që mendojnë e të bëjnë atë që u takon të bëjnë.

Ata që realisht cënohen, më besoni zoti ministër, mërmërisin, turfullojnë mes tyre nëpër korridoret e ministrisë së jashtme, mbledhin buzët të pakënaqur dhe shpërthejnë vetëm kur janë mes familjes së tyre ose mes miqsh të vërtetë, të provuar në ditët e vështira.

Vendosa të komunikoj kështu, për të qenë i drejtpërdrejtë me ju, me dashamirësinë për t’ju lehtësuar barrën që duhet të mbajë ministri jashtëm i një vendi në hartimin e një ligj të ri për trupën e tij diplomatike dhe familjet e tyre, si brenda godinës së ministrisë ashtu edhe në misionet diplomatike nëpër botë, ndaj të cilëve ka një përgjegjësi madhore shumëplanëshe. Ashtu si ushtarakët, për të cilët ju keni një përvojë të mjaftueshme profesionale, edhe diplomatët kanë zgjedhur të bëhen të tillë, pra të ndjekin karrierën diplomatike, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave të tij.

Mes tyre ka vetëm një ndryshim: ushtarakëve u duken gradat ndërsa diplomatëve jo. Megjithatë dhënia dhe heqja e gradave, hyrja dhe dalja nga karriera, si për ushtarakët ashtu edhe për diplomatët, duhet të respektohet me të njëjtin rigorozitet, pavarësisht kostumit civil apo uniformës ushtarake që ata mbajnë.

Vendosa t’ju shkruaj, sepse Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme që ju keni nën përgjegjësi, me 30 gusht 2024, përmbyll konsultimin publik për projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, të cilin pata mjaftueshëm kohë dhe vëmëndje ta lexoja. Patjetër që lexova edhe relacionin shoqërues, planin e konsultimit dhe dokumentin konsultativ ndonëse përkoi me gushtin e nxehtë dhe përqëndrimin e opinionit dhe të administratës drejt turizmit më shumë se drejt risive diplomatike që ky projektligj pretendon të sjellë për Shqipërinë.

Ju e dini, zoti ministër, dhe besoj se çdo ditë që kalon e mësoni edhe më shumë, se vitaliteti dhe efektiviteti i diplomacisë janë të rrënjosura thellë në përvojën profesionale dhe ekspertizën e praktikuesve të saj. Kjo është historia e përvojës botërore dhe ndërsa diplomacia evoluon dhe përshtatet me një peizazh global gjithnjë e më kompleks, nevoja për profesionistë me përvojë bëhet gjithnjë e më kritike.

Duke i dhënë përparësi emërimeve profesionale bazuar në aftësi e merita, përvojë, përkushtim e vazhdimësi vendet mund të sigurojnë që shërbimi i tyre diplomatik të mbetet i fortë, efektiv, i respektuar dhe me integritet në arenën ndërkombëtare.

Theksimi i kualifikimeve profesionale mbi konsideratat politike është thelbësor për ruajtjen e standardeve të larta dhe suksesit afatgjatë të diplomacisë në raportet dypalëshe, çështjet rajonale dhe arenën globale.

Ndaj, ju jam shumë mbështetës për seriozitetin në rizgjimin e Akadamisë Diplomatike, ashtu siç edhe jam shumë kritik për atë se projekti i propozuar, në tërësinë e tij, nuk rregullon asgjë nga ç’ka dhunshëm u ç’bë nga Ligji i vitit 2015, i cili mban peshën e mëkatit kundër shërbimit me jashtë dhe barrën e misionin për të gërryer, nëpërkëmbur, përçmuar dinjitetit e diplomatit të karrierës dhe baltosur përvojën diplomatike, nën petkun e risisë së kompetencave shumëfunksionale të ministrit dhe peshës specifike të përgjegjësisë së tij superkontrolluese.

Nuk do ta besoja që edhe ju të vazhdonit trashëgiminë e mëkatarit, në kurriz të shërbimit me jashtë të Republikës së Shqipërisë.

Ligji në fuqi përmban edhe një disproporcionalitet kushtetues ndaj kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me lirimin dhe emërimin e ambasadorit shqiptar, duke i kushtëzuar politikisht në kohë firmën e tij kushtetuese. Në anën tjetër në mënyrë subjektivisht të privilegjuar, në mënyrë jo proporcionale, nuk kushtëzon politikisht në kohë, ndonëse është sanksionuar në ligj, firmën për propozimin që duhet të fillojë nga Ministri i Jashtëm e më pas nga Kryeministri, sapo ambasadori të përfundojë mandatin e tij 3 vjeçar.

Në këtë mënyrë nuk do të themelohej një “sulltanat ambasadorësh shqiptarë”, siç me humor e quajnë nën zë trupën diplomatike shqiptare diplomatët e huaj në kryqytetet e botës.

Këto të vërteta të hidhur, zoti ministër, duket se zbehin, madje zhvleresojnë edhe rolin e Akademisë Diplomatike që MEPJ e trumbeton si risi ne prodhimin e diplomatëve të rinj dhe të kualifikuar për sfidat integruese të finishit 2030.
Nuk dua të ndalem në elementë të tjerë profesionalisht dhe diplomatikisht kontestues të projektit, por më kryesorja është se thelbi i ligji famëkeq të vitit 2015 nuk preket nga projekti që propozon ministria që ju drejtoni, zoti ministër, ndaj vendosa të ndaj me ju, në formë telegrafike, qasjen e përbashkët të përvojës botërore diplomatike mbi problematikat dhe arsyet, bazuar edhe në përvojën time modeste diplomatike dhe akademike, kur bëhet fjalë për një ballafaqim mes emërimeve politike (sado të justifikuara të duken) dhe diplomacisë së karrierës.

Këto problematika e arsye bëhen edhe më të ndjeshme në vendet e vogla, me kapacitete minimale dhe me investime e buxhet edhe më mediokër për shërbimin e jashtëm.

  1. Ekspertiza dhe vazhdimësia

Diplomacia e Karrierës:

– Njohuri të thella: Diplomatët që përparojnë në rrugën e karrierës zakonisht grumbullojnë njohuri të gjera dhe të thella për marrëdhëniet ndërkombëtare, nuancat historike e kulturore dhe strategjitë e negociatave.  Kjo ekspertizë është thelbësore për trajtimin e çështjeve komplekse dypalëshe, rajonale, globale dhe nxitjen e analizave dhe angazhimeve efektive diplomatike.

– Qëndrueshmëria: Diplomatët e karrierës ofrojnë vazhdimësi në marrëdhëniet diplomatike, duke siguruar që strategjitë dhe marrëdhëniet afatgjata të mbahen pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen politike. Ky stabilitet është jetik për ruajtjen e besimit dhe bashkëpunimit me vendet e tjera.

Emërimet politike:

– Fokusi afatshkurtër: Emërimet politike shpesh i japin përparësi përfitimeve politike afatshkurtra ose besnikërisë në kuriz të ekspertizës diplomatike afatgjatë. Kjo mund të çojë në ndryshime të shpeshta në strategjinë diplomatike dhe shpërqëndrime nga fokusi i çështjeve dhe vazhdimësia e përparësive dhe e negociatave gjithashtu.

– Mungesa e ekspertizës: Të emëruarit politikë mund të mos kenë gjithmonë aftësitë ose përvojën e nevojshme, duke rrezikuar potencialisht efektivitetin e përpjekjeve diplomatike.

  1. Integriteti dhe etika profesionale

Diplomacia e Karrierës:

Përparimi i bazuar në merita: Diplomatët e karrierës përparojnë në bazë të aftësive, përvojës dhe performancës së tyre. Kjo qasje meritokratike ndihmon për të siguruar që individët më të kualifikuar të përfaqësojnë vendin e tyre në çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare.

-Motivimi dhe ruajtja: Kur përparimi në karrierë bazohet në arritjet profesionale, ai nxit një ndjenjë qëllimi dhe motivimi midis diplomatëve, ashtu si brenda një familjeje. Kjo sjell gjithmonë e më shumë kënaqësi nga arritjet, ruajtje të harmonisë dhe optimizmit në dobi të punës brenda shërbimit diplomatik.

Emërimet politike:

Erozioni i standardeve profesionale: Emërimet e bazuara në konsiderata politike mund të minojnë besueshmërinë e shërbimit diplomatik dhe të zhvlerësojnë ekspertizën e diplomatëve të karrierës.

-Demoralizimi: Ndryshimet e shpeshta politike mund të demoralizojnë diplomatët e karrierës, të cilët mund të mendojnë se ekspertiza e tyre neglizhohet në favor të përshtatshmërisë politike. Kjo mund të çojë në ulje të motivimit dhe humbje të mundshme të profesionistëve të aftë.

  1. Efektiviteti në Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Diplomacia e Karrierës:

Qasja strategjike: Diplomatët e karrierës, me kuptimin e tyre të thellë të dinamikave ndërkombëtare, mund të analizojnë objektivisht, zbatojnë dhe përshtatin strategjitë në mënyrë efektive, duke trajtuar çështje komplekse dypalëshe, rajonale dhe globale mbi bazën e njohurive dhe informatave.

Ndërtimi i marrëdhënieve: Angazhimi afatgjatë nga diplomatë me përvojë ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të forta, të bazuara në besim me homologët e huaj dhe rrjetin profesional, duke lehtësuar bashkëpunimin dhe rezultatet më të mira në qëllimet e tyre.

Emërimet politike:

-Politikat e paqëndrueshme: Të emëruarve politikë mund t’u mungojë përvoja e nevojshme për të menaxhuar në mënyrë efektive marrëdhëniet delikate dy ose shumëpalëshe, duke çuar në iniciativa diplomatike jo konsistente ose të menaxhuara keq.

Potenciali për konflikt: Ndryshimet e nxitura nga motive politike mund të krijojnë paqëndrueshmëri dhe pasiguri, duke tendosur potencialisht marrëdhëniet me vendet e tjera dhe duke minuar drejtimin e duhur të përpjekjeve diplomatike ndaj interesin kombëtar.

Vendosa të shkruaj këto rreshta publikisht për ju, zoti ministër, ndonëse nuk e di nëse do të gjeni kohë t’i lexoni, jo sepse ju nuk jeni i vetëdijshëm për përgjegjësinë e padiskutueshme dhe serioze të mbrojtjes fanatike të diplomacisë së karrierës, ashtu si edhe atë ushtarake dhe policore, kundrejt futjes së duarve të tejzgjatura politike në shërbimin me jashtë, por për t’ju kujtuar sërish juve dhe ndërgjegjes suaj se emërimet politike mund të ofrojnë vetëm përfitime afatshkurtra që vijnë vetëm në kurriz të profesionalizmit dhe vazhdimësisë thelbësore të suksesit afatgjatë diplomatik.

Dhënia e përparësisë diplomacisë së karrierës siguron që misionet diplomatike të plotësohen nga individë me përvojën e provuar dhe me një përkushtim ndaj objektivave diplomatike afatgjata të vendit tonë. Kjo qasje mbështet zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të qëndrueshme, efektive dhe të besueshme, të cilat janë thelbësore për avancimin e interesave kombëtare në arenën globale, veçanërisht për një vend të vogël si Shqipëria.

Zoti ministër,

Ju keni sot çelsat e një prej zyrave më të rëndësishme të qeverisë shqiptare e njëkohësisht mundësinë e artë t’i riktheni dinjitetin shërbimit me jashtë të Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha atyre që i janë përkushtuar këtij shërbimi. Do të kisha dëshirë që ministri i jashtëm Igli Hasani të mos mbetej, ashtu si pararendësit e tij, “vetëm qeraxhiu i katit të parë të godinës së Ministrisë” por të bëhej, falë një ligji thelbësisht të ri “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, po aq, pjesë e pronësisë profesionale të shërbimit me jashtë sa edhe është trupa e përkushtuar e diplomatëve të vërtetë shqiptarë.

Sinqerisht

Arben Cici

Autori është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH. Ka qenë:
Ambasador i Shqipërisë në Danimarkë, Kroaci, Rusi. Dy herë Këshilltar për Politikën e Jashtme të Presidentit të Republikës. Dy herë Drejtori i Protokollit të Shtetit në MEPJ. Autor i Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë. Analist dhe njohës shumë i mirë i politikës së jashtme.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese