
Nga Afrim Krasniqi
Në një darkë pune me një zyrtar të lartë gjerman u përmend një emër politikani shqiptar të tranzicionit. Midis të tjerash u tha se arritja e tij më e madhe lidhej me faktin se ai u vetëofrua dy herë si kandidat për President, por nuk arriti të bëhej kandidat zyrtar dhe natyrisht as edhe të zgjidhet.
Zyrtari mik pyeti përse konsiderohej tregues suksesi dëshira për të kandiduar, qenia kandidat? Në konceptin e tyre politik qenia kandidat që humbet ose që as nuk është pranohet zyrtarisht si kandidat nuk është arritje dhe as sukses, është tregues negativ dhe individët e shmangin nga CV-ja e tyre.
Në Shqipëri ne kemi një traditë tjetër. Në mjedisin tonë kemi individë të shumtë që kandidojnë për gjithçka dhe në mënyrë periodike. Vetëm për President arritëm në një rast në 25 kandidatë, natyrisht jo kandidatë zyrtarë. Kriteret? Përvoja? Meritat? Këto janë terma pa rëndësi, rëndësi ka koncepti “shënomëni dhe mua”, një titull pjese teatrale për kohën e krijimit të kooperativave që vlen edhe në ditët e sotme.
Kjo përvojë dhe ky realitet më erdhi ndër mend ndërsa lexoja listën e kandidatëve “të rinj” për Gjykatën Kushtetuese. Nuk është një vend pune, është një nga pozitat më të larta profesionale dhe hierarkike në sistemin tonë qeverisës. Apriori është e pritshme që individi që kandidon për një vend të tillë, ka përvojë të gjatë juridike, ka arritje profesionale juridike, ka botime dhe akte të verifikueshme publike, ka kaluar procese vetingu, ka tregues të integritetit të lartë dhe distancë të verifikueshëm nga grupet politike, ka përvojë mësimdhënie apo lektrimi dhe ka njohuri të thelluara mbi të drejtën kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare të kësaj të drejte.
A ka kandidatë të tillë në këtë listë? E kam vështirë të identifikoj emrin më cilësor, por është e lehtë të konstatohet fenomeni “shënomëni dhe mua”.
Në këtë shënim nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë personale. Dikush do fitojë dhe do ta gëzojë mandatin. Çështje procedure, megjithëse në teorinë e demokracisë mësojmë se demokracia dhe shteti i së drejtës nuk janë vetëm procedurë. Megjithatë është rasti të themi se në vendin që bëri reformën në drejtësi dhe që ka pritshmëri (ende) të larta dhe (ende) utopike se drejtësia e re do të kishte nivel më të lartë profesionalizmi dhe integriteti, pritet dhe duhej të pritej standard më i lartë konkurrimi, zgjedhjeje dhe përzgjedhjeje.
E drejta e kandidimit duhej të ishte në nivel të njëjtë me të drejtën e kandidatëve cilësorë me të drejtën e një procesi me integritet. Mësimet e zgjedhjes eksperimentale në GJK aktuale apo në fazën e parë të institucioneve të drejtësisë duhej të ishin bazë për reflektim dhe reagim. Koncepti se cilido mund të bëhet gjithçka, mjafton të jetë në vendin e duhur, me njerëzit e duhur dhe në kohën e duhur, nuk mund të vlej për një institucion, i cili pavarësisht përvojave dhe bilanceve gri të tranzicionit, mbart emër kaq të madh, Gjykata Kushtetuese.