Hapësire reklamuese

OpEd

Egla fitoi! Publiku…?

Shkruar nga Raimond Cimbi
Egla fitoi! Publiku…?
Producent Raimond Cimbi

“Ja dedikoj grave”! Kjo ishte deklarata e aktores Egla Ceno pas fitimit të Big Brother Vip Albania.

Po kujt grave? Atyre të cilave i zbrazi fjalorin më të rëndë ofendues që mund të jetë dëgjuar ndonjëherë në ekranin e një kanali televiziv, për më tepër Kombëtar? Atyre të cilat i bullizoi për pesë muaj rresht? Atyre të cilat i quajti “majdanoz”, term i shpikur prej saj për të zëvendësuar fjalën “m…”? Atyre të cilat i provokoi deri në palcë në misionin e ulët për t`i treguar sa të pamoralshme dhe të pandershme janë, me etiketime “e shqepur”, “e shqyer”, “gore”, derisa nuk ja përtuan për t`i derdhur në kokë kutinë e qumështit, në shenjë hakmarrje?

Çudia nuk është tek deklaratat e Egla Cenos, por tek dy opinionistët, njëra prej të cilëve grua, madje deputete e Kuvendit të Shqipërisë, e cila në prioritetet e saj duhet të ketë mbrojtjen e figurës së gruas nga çdo dhunë: fizike, verbale apo psikologjike. Kjo opinioniste/deputete harroi se si qanin dhe revoltoheshin gratë konkurrente në Big Brother Vip prej sulmeve bullizuese dhe publike të Egla Cenos, harroi se ishte vetë ajo që deklaronte se “bullizmi i Egla Cenos në këtë edicion të Big Brother Vip janë të padëgjuara ndonjëherë në një ekran televiziv, sidomos nga një grua” dhe e përfshirë nga një entusiazëm i pashpjegueshëm, deklaroi “Egla e meritoi fitoren!”.

Çudia janë edhe televotuesit shqiptarë, vetë publiku, i cili voton për fitues një personazh që në fund të fundit u transmetoi atyre një filozofi jetësore sa të shëmtuar, aq edhe të rrezikshme, në mënyrë konstante gjatë këtyre pesë muajve: “Njerëz, bullizoni, sulmoni, ofendoni, si një mënyrë efikase për të arritur objektivin të cilin I  keni vënë qëllim vetes!”.

Gjatë rrugëtimit në garën e saj për Çmimin e Madh, Produksioni e përjashtoi Egla Cenon me motivacionin “bullizuese dhe e padenjë për një format të tillë televiziv”, madje e dërguan për “riedukim” në të ashtuquajturën “dhoma e bardhë”. Por mesa duket, nisur nga qëllimi i klikimeve në rrjetet sociale, ishte vetë Produksioni i cili inskenoi një formulë të çuditshme rikthimi të saj në garë.

Në një kohë kur përjashtimi i saj do të shërbente si një mesazh i rëndësishëm social se “bullizuesit nuk kanë vend në shoqëri”, ky rikthim madje e shpërbleu këtë mëkatare të përjashtuar, me titullin e fitueses.

Festa mbaroi, tamtamet pushuan, fishekzjarret u shuan, Egla Ceno tregoi se si nuk duhet të jetë jo vetëm një artiste, jo vetëm një intelektuale, por mbi të gjitha një GRUA.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese