Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Editorial/ Kur stadiumi i drejtësisë zhduket në heshtjen e një polici

Shkruar nga Retin Toka
Editorial/ Kur stadiumi i drejtësisë zhduket në heshtjen e
Fotomontazh/ Efektivët e Reneas dhe një polic i thjeshtë

Nga Retin TOKA

Dita e hënë shënoi një tragjedi të thellë në zemrat e qytetarëve shqiptarë me humbjen e policit të respektuar Novrus Cenalia. Fjalët nuk mund të përshkruajnë ndjesitë për atë që ndodhi. Por, përtej kësaj tragjedie, ngjarja zbuloi një realitet më të hidhur në shoqërinë tonë: problemet brenda uniformës së policisë, ku drejtësia vijon të jetë e shënjuar me të zezë.

Në një vend ku drejtësia duhet të jetë si një fener që udhëzon rrugën e qytetarëve, shpërblimi për punën e policisë ka qenë shpesh në bazë të favorizimeve personale. Shumë efektivë shkojnë në punë për atë pagë qesharake, përplasen me mungesën e sigurisë dhe gjithmonë kanë nevojë për orë shtesë. Por, shpesh ndihen të pafuqishëm për t'i kundërshtuar shpërblimet e premtuara, që në disa raste shkojnë deri në shkallën e vdekjes.

Ndërkohë, në këtë kontekst të errët të situatës, në stadiumet e futbollit, një tjetër histori po zhvillohet, një fushatë e zjarrtë për sukses dhe nderim. Por, në këtë lojë, nuk mund të festohet njëjtë si në normalitet kur drejtësia po e pëson. Madje edhe emocionet e Kombëtares nuk zhbëjnë përveçse 90 minuta atë që ndodh në vend. Në fakt, shumë prej atyre që shohim rreth fushës janë të angazhuar në rrugën e drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve. Paradoksi është i madh. Miliona lekë rroga për 22 vetë që vrapojnë pas sferës, ndërsa policia është duke luftuar për të mbijetuar. Nëse nuk lodhen me stadiumet, ka “hapësira” për ta dhe nëpër protesta. Orët shtesë t’i harrojnë, llogarisë t’i hedhin një sy veç nëse nuk janë prezentë ndonjë ditë në punë.

Këto ngjarje tregojnë një nevojë urgjente për një revolucion të vërtetë në sistemin tonë të drejtësisë dhe në kulturën tonë sociale. Qytetarët nuk duhet të duan vetëm drejtësi, por duhet ta kërkojnë atë. Autoritetet duhet të ndërhyjnë për të hequr korrupsionin nga rrugët tona ose më e keqja për ta minimizuar atë dhe për të siguruar se policia është e pajisur me resurset e mbështetjen që i nevojitet për të kryer detyrat e tyre me dinjitet dhe përgjegjësi.

Si shoqëri, duhet të shohim përtej fushave të futbollit dhe çdo lloj fushe tjetër. Duhet të angazhohemi në një “lojë” më të madhe, në ndërtimin e një shoqërie ku drejtësia është e përjetshme dhe kur policia dhe qytetarët bashkëpunojnë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve. Paskëtaj, mund të shkojmë dhe të brohorasim për 90 minuta për të përcjellë gjithë emocionin e akumuluar, por fillimisht jeta ka vlerë mbi gjithçka! Nëse ka institucion që nuk duhet përfshirë politikisht, padyshim është policia që është në shërbim të qytetarëve për t’i servirur jetën të sigurtë.

Ngjarja e Fierit na kujton se sa shumë nevojitet një sistem i drejtësisë që punon për të gjithë, pa asnjë lloj dallimi. Nuk mund të lejojmë që kriminelët të përdorin sistemin tonë si një mjet për të shmangur përgjegjësinë e tyre. Humbja e Cenalias duhet të na bëjë të gjithë të bëjmë më shumë për të siguruar se drejtësia nuk është një privilegj, por një e drejtë themelore për të gjithë.

 

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese