Kur tre vjet më parë më shkrepëtiu ideja e rikthimit të printit, pata më shumë idenë sesa bukur ishte kur punonim në gazetë me orë të gjata, kur çdo fjalë që shkruanim vlente. Sot, edhe unë si kushdo nga gazetarët e vjetër kemi hyrë në tregun online.
Për pak muaj Newsbomb. al bën 10 vjet në treg dhe me thënë të drejtën, tej angazhimit personal dhe gazetarëve që punojnë, më lodh pafund “scroll” online i lajmeve të bëra me shpejtësi, në furinë e kapjes së lajmit të fundit, apo detajeve gjysma-gjysma.
Print është shpëtimi. Aty mbetet e shkruar gjithçka. Do ta shfletojnë breza të tërë edhe kur unë e të tjerë të mos jemi në kët dynja. Kur i thashë vetes se do botoj revistën me të njëjtin emër, shumë prej kolegëve më thanë “e çmendur”.
Askush nuk më tha “sa guximtare”. Në vogëlsinë e kujtdo që më shtyu për të kundërtën, ia dola të shoh në horizont më larg se ata. Sepse nëse gjykimi im për të tjerët – dhe këtë rast mendoj kolegët – ishte i përciptë, ose i padrejtë, kjo nuk do të thotë se duhet të hiqja dorë nga gjykimet, as t’i shmangia ato.
E vërteta është se sot unë jam më e lumtur sesa ndonjëherë tjetër. Tekefundit për ç’ka vlen botimi i një reviste nëse nuk je në gjendje ta imponosh leximin e saj? Kur nisa revistën, një intelektual pasi e kishte parë botimin në tregun e shitjes më mori në telefon dhe pasi m’u prezantua më tha se i pëlqente shumë revista; më tha sesi e kishte lexuar brenda ditës artikull pas artikulli e më tregoi se ishte kuruar me kujdes; më tha se kishte detaje që duheshin rregulluar dhe sa shumë i pëlqeu që në treg kishte ende revista. Më pyeti ndër të tjera nëse isha e suksesshme te ky botim sepse “shqiptarët nuk lexojnë – e ndoshta bash për kët arsye i kemi punët si i kemi në mëhallën tonë”.
Tani në 20 gusht bëhen plot tre vjet nga botimi i revistës Newsbomb.al dhe unë vazhdoj të jem pasionantja me lirinë shpirtërore me një fitore morale që nuk konsiderohet fitore në kuptimin e rëndomtë të fjalës. Sepse të dëshirosh të jesh e lirë do të thotë të kërkosh të heqësh pengesat që të dalin përpara! Sot kur bëj bilancin në këtë tre vjetor them vetmevete: sa mirë bëra! Nuk është thjesht çështje kurajoje, aty kur për të gjalluar printin duhet të marrësh këdo në telefon për tia imponuar diçka të bukur e me vlerë.
Aty ku në fillimet e veta mbështetësit e tu të marketingut numërohen me gishtat e dorës, por që muaj pas muaji u rritën, sepse të jesh objektiv, i paanshëm, i zhveshur nga pasionet duhet të jetë një virtut për gazetarët me eksperiencë dhe një garanci për çdo kompani që të beson marketingun e vet dhe unë sot gjej rastin t’ju them falemnderit: Pa ju, revista nuk do të mbijetonte!
Por më së shumti u them falemnderit lexuesve tanë të devotshëm, shumësyresh tre vjeçar që nuk janë tërhequr nga leximi në print. Sepse u pëlqen e vërteta që shkruhet në faqet e revistës përmes temash befasuese, të mprehta, enigmatike. Ishte një sfidë e heshur, por e ditë pas dite për tia dalë mbanë.
Falemnderit me zemër që jo vetëm na lexoni, por na mbështesni dhe shtoheni ditë pas dite. Falemnderit dhe gjithë atyre që na kritikojnë, na refuzojnë apo edhe “mëshirojnë”. Edhe pa ju nuk do të kishim këtë revistë kaq të suksesshme, sepse nga gjithë vërejtjet tuaja, apo arsyet e refuzimit, kemi kuptuar se ku çalon puna për ta përmirësuar, për të sjellë një produkt sa më afër lexuesit tonë besnik.
Falemnderit shumë të gjithë gazetarëve që kontribuan përgjatë tre viteve, me telefonatat e mia të shpeshta për të sjellë tema ekskluzive, të debatueshme, histori të tashme dhe të kaluara e plot personazhe. Ndoshta nuk jeni vlerësuar sa duhet pavarësisht se kujdesi im im ka qenë i pamatshëm. Por pa ju, që jeni bashkëpunëtorët e mi kryesorë, nuk do të mund të kishim një produkt kaq të kërkuar në tregun e printit.
Dhe në fund falemnderit kolegëve që punojnë për shpërndarjen e shtypshkrimin e revistës. Sa erë të mirë mban letra e printuar. Shpresoj të mos e kem tepruar me impulsivitetin tim të të bërit të gjërave në perfeksion, por mendoj se ky ka qenë edhe çelësi i suksesit tonë. Ju jam mirënjohëse të gjithëve, për të shpresuar se do jetojmë edhe 100 vjet. Gëzuar tre vjetorin revista Newsbomb.al!