Pothuajse një në dhjetë fëmijë në Gaza nën moshën 5 vjeç janë të kequshqyer, thotë OKB. Sipas raportit të OKB-së keqyshqyerja e fëmijëve në mënyrë akute në Gaza vjen si pasojë e luftës së Izraelit kundër udhëheqësve të Hamasit.
Kombet e Bashkuara thonë se furnizimi me ushqim për Gazën ka rënë ndjeshëm, për shkak të luftës. Punonjësit e ndihmës nga OKB thonë se në Gaza ka shenja të qarta urie, veçanërisht në zonat në Gazën veriore dhe qendrore që janë goditur më rëndë nga lufta e Izraelit kundër Hamasit që nga 7 tetori i 2023-it.
Matja e perimetrit të krahut të mijëra fëmijëve të vegjël dhe foshnjave tregoi se 9.6 përqind ishin të kequshqyer, një normë rreth 12 herë më e lartë se nivelet e paraluftës, sipas një shënimi nga zyra e çështjeve humanitare të OKB-së (OCHA). Në Gazën veriore, shifra është 16.2%, ose një në gjashtë.
Organizata humanitare ActionAid raportoi se disa njerëz në Gaza kanë përfunduar duke ngrënë bar. Organizata “Islami Relief” raportoi se një anëtar i stafit në Gaza tha: "Unë dhe fëmijët e mi nuk kemi ngrënë fruta apo perime për muaj të tërë dhe njerëzit po vriten duke u përpjekur të shkojnë te kamionët e ndihmave që mbërrijnë nga Kombet e Bashkuara..."
Projekti ndërkombëtar jofitimprurës HOPE tha se rreth 15 përqind e grave shtatzëna që ekzaminoi në klinikën e saj Deir Al-Ballah në qendër të Gazës javën e kaluar ishin të kequshqyera. Gjithashtu u raportua një rritje e anemisë, e cila mund të çojë në lindje të parakohshme dhe hemoragji pas lindjes.