Ervis Onuzi është oficeri shqiptar që prej tre vitesh shërben në qytetin e Filadelfias në Amerikë, i cili është kthyer në hero dhe ka zënë faqet kryesore të mediave atje. Ai ka qenë në shërbim kur në lagjen "Frankford" është raportuar për të shtëna me armë zjarri.
Bashkë me kolegët ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe aty janë ndeshur me të shtëna arme që drejtoheshin edhe ndaj tyre, shkruan newsbomb.al. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 7 prillit dhe bilanci është një i vdekur, dy gra kalimtare të plagosur dhe oficeri shqiptar gjithashtu.
"Lufta" zgjati për rreth 90 minuta dhe Ervis Onuz, u qëllua me plumb në bark, teksa po përpiqej të mbronte një tjetër oficer. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar Temple dhe raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore. Më shumë se 70 kolegë të tij u mblodhën para spitalit dhe flisnin me kamer me të.
Shefi i policisë SEPTA, Thomas Nestel përgëzoi publikisht oficerin 28 vjeçar Shqipëria për guximin dhe trimërinë që kishte treguar në rrugë, për të mbrojtur kolegun e tij nga të shtënat me armë. Mediat dhe distriktet policore atje e konsiderojnë Ervis Onuzin si një hero.
Edhe zyrtarët lokalë në Filadelfia kanë vlerësuar veprimin heroik të 28 vjeçarit.
Incidenti filloi kur të shtënat u qëlluan pranë rrugëve Arrott dhe Griscom. Një dëshmitar tha se ai po qëndronte në një stacion autobusi kur një burrë filloi të qëllonte nga një bllok larg.
“Një zonjë u godit pikërisht pranë meje, duke qëndruar në stacionin e autobusit”, tha dëshmitari, raportojnë mediat amerikane. Policia me distriktin 15 ishte në patrullë kur dëgjuan të shtëna të shumta.
Në atë moment ata panë një burrë që mbante një armë dhe ju vunë në ndjekje drejt apartamenteve Renehan House në bllokun 4700 të rrugës Leiper, shkruan newsbomb.al. Burri shkoi në një shtëpi të lagjes dhe nga dritarja e dhomës së gjumit qëllonte mbi oficerët.
Disa oficerë policie të Filadelfias shkëmbyen zjarr me burrin përpara mbërritjes së njësive SWAT. Personi i armatosur më vonë u gjet i vdekur nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri. Ai nuk është identifikuar ende dhe motivi nuk dihet.