Hapësire reklamuese

Bota

OBSH: Gati 15 milionë njerëz vdiqën nga COVID ose prej pasojave të pandemisë

Shkruar nga Newsbomb
OBSH: Gati 15 milionë njerëz vdiqën nga COVID ose prej pasojave

 Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gjatë dy viteve të fundit gati 15 milionë njerëz humbën jetën nga koronavirusi, ose si pasojë e sistemeve të mbingarkuara shëndetësore, më shumë se dyfishi i numrit zyrtar prej 6 milionë vdekjesh nga COVID në botë.

Shumica e vdekjeve janë identifikuar në Azinë Juglindore, Evropë dhe kontinentin amerikan.

Në raportin e publikuar të enjten, drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifrat japin një pasqyrë të kthjellët, ndërsa shtoi se kjo duhet t’i nxisë vendet të investojnë për të shtuar kapacitetet e tyre në rast të urgjencave të ardhshme shëndetësore.

Shkencëtarët e angazhuar nga OBSH për të ndjekur numrin e vdekjeve nga COVID-19 nga janari i vitit 2020 deri në fund të vitit të kaluar, vlerësuan se kishte midis 13.3 milionë dhe 16.6 milionë vdekje, që ishin shkaktuar drejtpërdrejt nga koronavirusi, ose nga ndikimi i pandemisë në sistemet shëndetësore. Këtu hyjnë edhe të diagnostikuarit me kancer, që në disa raste e kishin të pamundur marrjen e trajtimit të nevojshpm për shkak se spitalet ishin të stërmbushura me pacientë të infektuar me COVID.

Këto shifra bazohen në të dhënat e raportuara dhe modelin statistikor të organizatës, por vetëm rreth gjysma e vendeve ndanë informacionet e kërkuara. OBSH tha se ende nuk kishte arritur të zbërthente shifrat për të parë se sa është numri i vdekjeve direkte nga COVID-19 dhe atyre që humbën jetën si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia. Organizata shton se në një projekt të ardhshëm do të shqyrtohen çertifikatat e vdekjes për të kuptuar më shumë hollësi.

Në një studim të fundit të botuar në revistën Lancet, shkencëtarët në Institutin e Metrikës dhe Vlerësimit të Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit mendojnë se nga janari 2020 deri në dhjetor 2021 mbi 18 milionë njerëz vdiqën nga COVID./VOA

Sondazh

Poll