![Nuredin Dumani përfundon në SPAK, Prokuroria e Elbasanit shpall](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/wp-content/uploads/2022/04/-1000-0-Screenshot_6-23.png)
Nuredin Dumani, një nga personat më të kërkuar në Shqipëri deri pak ditë më parë, do të hetohet nga prokurorët e posaçëm të SPAK, shkruan newsbomb.al. Ai u prangos në Fier, i plagosur, pas një atentati të dështuar ku shkoi për të vrarë por ra në pritë.
Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencë për hetimin e dosjes në ngarkim të Dumanit dhe ia ka përcjellë materialet për hetim Prokurorisë së Speciale në Tiranë. Ndaj tij rëndon akuza e "Grupit kriminal" e cila është kompetencë e SPAK. Ai akuzohet për një seri vrasjesh, disa prej të cilave dyshohet se e kanë zanafillën te grabitja e miliona parave në barkun e avionit në Rinas.
Krahas dosjes së Dumanit, në SPAK janë dërguar edhe dosjet e vrasjeve të Andi Zylyfit e Aldo Bahos, të dy të ekzekutuar në aksin Elbasan-Peqin. Është dërguar në SPAK dhe dosja e ekzekutimit të trefishte në Elbasan ku mbetën të vrarë Indrit Dylgjeri, Arben Dylgjeri dhe Erdal Duranay. Për këtë ngjarje prokuroria akuzon Mikel Qosen.
Pasditen e 29 marsit, Nuredin Dumani kishte shkuar në Elbasan për të vrarë armikun e tij Talo Çela, por ky i fundit ishte në dijeni dhe 39-vjeçari nga Dibra ra në kurth. Makina me të cilën ai udhëtonte u sulmua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër.
Për pasojë, 39 vjeçari mbeti i plagosur. Menjëherë u nis drejt Fierit dhe aty u lokalizua në një bllok pallatesh në lagjen “Apolonia”.
Një telefonatë për ndihmë në spitalin e Fierit, për një person të plagosur me armë, bëri që Forcat Speciale të shkonin në qytet me shpejtësi dhe të rrethonin lagjen. Drejtues të Policisë së Elbasanit u panë të pranishëm vetë në Fier dhe pas disa momentesh nxorën me pranga në duar Nuredin Dumanin.