Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë sot në një konferencë ku diskutohej për trafikimin e qenieve njerëzore. Krah tij qëndronte dhe ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me të cilën më parë Meta pati një “lëkundje” të marrëdhënieve.
“Nuk shikoj asnjë problem në këtë drejtim, përveç forcimit të mëtejshëm për trafikun e qenieve njerëzore që vendi ynë e përjeton shumë për shkak të numrit në rritje të largimit të qytetarëve tanë, sidomos të të rinjve. Për fat të keq të të rinjve”, ju përgjigj Meta pyetjes së gazetarëve.
Më tej, kreu i shtetit foli dhe për procesin e zgjedhjes së pasardhësit të tij. Meta tha se kishte besim se Parlamenti do t’i përmbushë detyrat e tij, për një emër të ri brenda afateve kushtetuese.
“Unë besoj se parlamenti i di detyrimet e tij dhe do ta përmbushi me përgjegjësi maksimale, brenda kohës së duhur, është detyrim kushtetues. Parlamenti do të bëjë puënn e tij, unë do të bëjë punën time me shumë përkushtim deri më 24 korrik”, shtoi presidenti.
Kur u pyet për opozitën pas 24 korrikut, me Berishën në krye të PD dhe ai vetë me shumë mundësi në krye të LSI, Meta u shpreh “Mendoj se opozita më e mirë janë shqiptarët e ndershëm. Ata thjesht kanë nevojë për t’u bashkuar dhe për të çuar përpara vendin.”


