Policia ka vijuar kontrollet në Dibër, Mat e Bulqizë, për goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 3 persona, 2 janë shpallur në kërkim, ndërsa një person është proceduar penalisht.
Në Mat është vënë në pranga një i ri, i cili përndiqte dhe ngacmonte një 29-vjeçare.
Mësohet se Ervis Daçi, nga Baz, Burrel prej disa muajsh kishte njohje me një 29 vjeçare dhe pasi janë ndarë ky e ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme, në vendin e punës, gjatë rrugës e deri në banesën e saj.
Më pas 29-vjeçarja e ka denoncuar rastin në polici.
Njoftimi i plotë i policisë:
Intensifikohen kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që mbajnë armë zjarri dhe armë të ftohta pa leje.
Në Bulqizë është vënë në pranga 1 shtetas, për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Në Mat është vënë në pranga 1 shtetas, për përndjekje, si dhe është kapur 1 person i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Goditet në Maqellarë, një rast i ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, procedohet penalisht pronari i lokalit.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 4 armë të ftohta (thika) dhe dy makineta të lojërave të fatit.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, parandalimin e konflikteve, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë apo mbajnë armë zjarri në banesë apo lëndë narkotike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatet në varësi të saj, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.
Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Inspektoratin e Autoritetit Kombëtar të Lojërave të Fatit, në një lokal në Maqellarë, kanë gjetur e sekuestruar dy pajisje elektronike, me të cilat dyshohet se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit. Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. Gj., 54 vjeç, banues në Maqellarë, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara”.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, gjatë operacionit Policor të koduar “Gjoçaj”, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim B. P., 35 vjeç, banues në Gjoçaj, Mat. Ky shtetas është shpallur në kërkim në vitin 2020, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në Bulqizë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë vënë në pranga shtetasin K. T., 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 2 djemtë e tij, shtetasit F. T. dhe A.T.